Ministria e Drejtësisë, në kuadër të vendosmërisë së saj për të respektuar ligjin dhe për përdorimin e sistemeve dixhitale, në funksion të përmirësimit dhe garantimit të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të palëve në proces ekzekutimi, ushtroi kontrollin tematik në zyrat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privatë me objekt verifikimin e funksionimit dhe përdorimit të Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve Përmbarimore “ALBIS”, nga përmbaruesit gjyqësorë privatë.
Në përfundim të kontrollit të ushtruar, rezultojë se nga 114 përmbarues gjyqësorë privatë, 14 prej tyre, nuk kanë përdorur sistemin e regjistrimit të çështjeve përmbarimore (ALBIS), duke mos hedhur në sistemin dixhitale të dhënat. Ky mosveprim i përmbaruesve gjyqësorë privatë përbën shkelje disiplinore të mosevidentimit në mënyrë të rregullt të të gjitha akteve dhe veprimeve procedurale të kryera gjatë veprimtarisë së ekzekutimit, sipas shkronjës “dh”, të nenit 52 të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar. Për këtë arsye, sot, më datë 03.08.2012, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pas përfundimit të hetimit administrativ, si dhe ndjekjes së procedurës sipas ligjit, është vendosur dhënia e masës disiplinore, me gjobë në masat 30 000 – 40 000 lekë, për 14 përmbarues gjyqësorë privatë, si më poshtë:
1- LEFTER CANAJ, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “L.D.C”.
2- SPARTAK ÇETA.
3- RIGELS BEJKO, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “TDR”.
4- JULIAN AHMETI, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “EPSA”.
5- PETRIT TABAKU.
6- ALSID KAMBERI, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “BAILIFF SERVICES ALBANIA BSA SH.P.K”.
7- TEDI MALAVECI, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “TDR”.
8- BESIM MARGJEKA, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “ETEBEST, sh.p.k”.
9- ALBAN RULI, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “ARB sh.p.k”.
10- HELIDON XHINDI
11- BASHKIM XHAFA, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “ABC 010, sh.p.k”.
12- FLORIAN BEQARAJ, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “JUSTITIA”.
13- NAJADA BEQARAJ, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “JUSTITIA”.
14- ARBEN MATANI, SHOQËRIA PËRMBARIMORE “BAILIFF SERVICES –MATANI & CO”.
Respektimi i parimit të ligjshmërisë dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve shqiptarë, gjatë procesit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet në fokus të punës së Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë kuadër, këto masa disiplinore do të ndikojnë jo vetëm në respektimin e kërkesave të ligjit nga këto përmbarues gjyqësorë në të ardhmen, por do të japë efekte në rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të të gjithë sistemit të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të palëve në proces ekzekutimi. Gjithashtu, në caktimin e masës konkrete mbahet në konsideratë fakti që sistemi i përmbarimit gjyqësor privat është në fillimet e veta dhe rrjedhimisht dhënia e masave ekstreme ndaj përmbaruesve mund të dobësojë këtë sistem. Por, në rast të përsëritjes së këtij fenomeni, Ministria e Drejtësisë është e vendosur të marrë të gjitha masat për ndëshkimin e devijantëve, në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara nga ligji, duke marrë masa për gjobitjen dhe heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit.