English

Basha: ndërhyrja te dogana i paraprin projektit të Unazës së Madhe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha ka inspektuar punimet që po kryehen tek rrethrrotullimi i Doganës e cila është dhe pika më e rënduar e trafikut në Tiranë. Kjo ndërhyrje konsiston në shtimin e korsive djathtas, me gjerësi 5 metra, ndërtimin e trotuarëve me gjerësi 3 metra si dhe rritjen e sigurisë së kalimit të këmbësorëve, duke ndërtuar kangjellat mbrojtëse dhe për disiplinimin e tyre në kalimet në vijat e bardha. Gjithashtu, do të pajiset me sinjalistikë vertikale, horizontale dhe informuese, si në brendësi të tij, ashtu edhe jashtë rrethrrotullimit. Njëkohësisht do të ndalohet qendrimi i të gjithë mjeteve, 150 metra në çdo drejtim hyrës-dalës dhe përpunimi i çdo pasagjeri nga çdo mjet, 100 metra nga diametri i jashtëm. Ky investim prej 54 milion lekësh, që pritet të përfundojë me 15 gusht, do të ketë impakt të menjëhershëm tek qytetarët e Tiranës.

“Ndërhyrja në këtë pikë nevralgjike të trafikut të Tiranës do të lehtësojë trafikun, do të ulë koston e transportit, do të përmirësojë ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes duke ulur kohën e lëvizjes në qytet, dhe do të reduktojë nivelin e ndotjes për qytetin e Tiranës” tha Basha.

Kryebashkiaku bëri të ditur se ky investim i paraprin dhe dy investimeve të tjera të rëndësishme të segmentit të Unazës së Madhe që shtrihet nga shkolla Teknologjike deri tek qendra Kristal, ku i bashkohet pjesa tjetër e kësaj unaze që është drejt përfundimit. Projekti i hartuar nga Bashkia e Tiranës dhe që do të financohet nga qeveria shqiptare parashikon që segmenti i Unazës së Madhe të ketë gjatësi rreth 2.8 km dhe të njëjtën gjeometri me segmentet e përfunduara të kësaj unaze. Në projekt parashikohet edhe ndërtimi rrugëve paralele me të gjitha shtresat rrugore, rrjetin e kanalizimeve te ujërave të ndotura dhe të ujërave të bardha, ujësjellësi, ndriçimin rrugor, gjelbërimin dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale. Unaza e madhe është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie 80km/orë, me hyrje dalje të disiplinuara, me 2 karexhata, të cilat kanë 2 vija kalimi 2 x 3.5 m, korsi emergjence 3.5m, si dhe 3 breza gjelbërimi me gjerësi 2m (2 anësore dhe 1 në mes). Tenderi për këtë segment hapet në fillim të javës së ardhshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Basha theksoi se së shpejti në rrugën e Durrësit do të instalohen dy pika të kalimit të qytetarëve, të cilat do të menaxhohen me anë të semaforëve.

“Për rrugën e Durrësit, ne jemi në përfundim të projektit, që me investimin e qendrës së vetme të kontrollit të trafikut dhe semaforëve, të prezantojmë të paktën dy vendkalime për banorët në dy anët e rrugës së Durrës. Siç e dini edhe ky është një problem shumë i vjetër i cili ka kushtuar edhe jetë njerëzish. Ne si Bashki kemi parë tri mundësi zgjidhje. E para ka qënë një nënkalim e cila pengohet nga kolektori që është ndërtuar vite më parë në aksin e rrugës së Durrësit. E dyta është mbikalim e cila është një zgjidhje jo e dëshiruar për shkak të mundimit që paraqet për banorët e zonës për të hipur e zbritur shkallët. Pra ne do ta zgjidhim këtë me kalim nënnivel me semaforë duke i dhënë përparësi këmbësorëve por pa rënduar trafikun e automjeteve”, tha Basha.

Përveç investimeve të mëdha, zoti Basha tha se investime të tjera kanë nisur në të gjithë Tiranën për rinovimin total të infrastrukturës së silinjalistikës, semaforëve, kontrollit të tyre qendror, etj.

KOMENTE