Kryetari Edi Rama shpreh keqardhje për përmbajtjen e njoftimit të kryeministrisë mbi takimin e zotërinjve Berisha dhe Volonte.
Ai nënvizon se nuk është hera e parë që eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane bëhen pjesë e fushatave denigruese ndaj opozitës shqiptare, krah për krah me Sali Berishën.
Megjithatë, sado të shpifë e shajë opozitën kryetari i Partisë Demokratike dhe çfarëdo isoje t’i mbajë atij ndonjë i djathtë europian, Partia Socialiste ka bërë në këtë vit politik për integrimin europian e për statusin e kandidatit për Shqipërinë, aq sa asnjë opozitë s’ka bërë ndonjëherë më parë.
Përrallën e bllokimit të statusit nga opozita meqë socialistët kanë deklaruar se nuk votojnë në datën 6 gusht, zotërinjtë Berisha dhe Volonte mund t’ia tregojnë njëri-tjetrit apo atyre që u besojnë verbërisht, po asnjë shqiptari që shikon e që dëgjon me sytë e me veshët e tij.
Kryesocialisti Edi Rama e siguron opinionin publik dhe miqtë e partnerët ndërkombëtarë se Partia Socialiste mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj: Grupi parlamentar i opozitës do ta votojë pro kufizimin kushtetues të imunitetit, vetëm pasi të jenë diskutuar edhe ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej tij.
Me këtë rast Edi Rama i bën thirrje kryeministrit të heqë dorë nga politika e shpifjeve e sharjeve ndaj opozitës dhe t’i hapë rrugë pa humbur kohë debatit për pjesën ende të padiskutuar të ndryshimeve kushtetuese që ka propozuar opozita.