Për të gjithë ata që kanë kërkuar një informacion lidhur me konvertimin e patentave shqiptare në ato italiane përsëri po japim shpjegimin përkatës të bërë nga Drejtoria e Transportit Rrugor.
"Marrëveshja për konvertimin e patentave shqiptare në Itali ka ardhur në fuqi në 15 gusht 2009 Ajo është e vlefshme për pesë vjet, pra deri më 15 gusht 2014.
Për të konvertuar një patentë shqiptare, para së gjithash, duhet treguar që ajo është marrë në Shqipëri para vendosjes së rezidencës në Itali dhe se kërkuesi i konvertimit të patentës ka një dokument qëndrimi në Itali, leje apo kartë qëndrimi, të vlefshme.
Nëse titullari i një patente shqiptare, vjen e merr rezidencën në Itali, ai konverton patentën e tij pa qenë nevoja të japë provimet e teorisë dhe të praktikës, me përjashtimin e rasteve të mëposhtme të parashikuara në nenin 4 të marrëveshjes: “nëse titullari i patentës shqiptare ka rezidencën në Itali prej mëse 4 vjetësh, e konverton atë pasi u nënshtrohet provimeve të rishikimit të lejes së drejtimit, por vetëm në rast kur është vërtetuar që nuk ka drejtuar automjete për një periudhë trevjeçare”. Kjo do të thotë që konvertimi nuk bëhet automatikisht për ata që qëndrojnë në Itali prej shumë kohësh, – dhe të tillë ka shumë të interesuar – të cilët do t’u nënshtrohen sidoqoftë një provimi.
Një tjetër kufizim i përcaktuar në marrëveshje kishte të bënte me modelin e patentës shqiptare: sipas marrëveshjes “do të konvertohen patentat në formatin card të lëshuara nga 1 korriku 2005”; ndërsa “patentat në karton, në fuqi prej 1 nëntorit 1999, mund të konvertoheshin në Itali vetëm vitin e parë nga data e ardhjes në fuqi të marrëveshjes, pra nga 15 gusht 2009 deri më 14 gusht 2010”.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturave dhe Transporteve në Itali, konvertimi i patentave shqiptare është njësoj si ai i patentave të vendeve të tjera jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Italinë, ashtu si Shqipëria. Në fakt në faqet zyrtare të kësaj Ministrie, i vetmi shënim për Shqipërinë është që marrëveshja është e vlefshme për pesë vjet, duke filluar nga 15 gushti 2009."