Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare në drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli për të votuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për heqjen e imunitetit të deputetëve, të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë.
Pas një seancë maratonë diskutimesh, ku opozita nuk pranoi të votonte ndryshimet kushtetuese që i hapnin rrugë heqjes së imunitetit, Kryeministri Berisha në emër të mazhorancës tha se, do të shkohet në referendum popullor për këtë çështje.
“Qytetarë shqiptarë, socialistë demokratë LSI,Republikanë , PD –istë, të gjithë do të votojnë së bashku në një plebishit të vërtetë, heqjen e murit të turpit, të korrupsionit dhe të imunitetit, vendosjen e barazisë para ligjit. Do i dëshmojnë Evropës se, ata nuk ndajnë me klubin e miliarderëve moralin e obskurantizimit dhe të pabarazisë ligjore. Ndaj dhe kjo seancë finalizohet me betimin solem se, do të ecim në mënyrë të pandalshme drejt referendumit popullor, për të shembur murin e imunitetit, për të hapur dyert hetimit të ndershëm të të gjithë qytetarëve, të barabartë para ligjit”, -u shpreh kryeministri Berisha.
Kryetarja e Kuvendit, duke konfirmuar këtë zgjidhje, u shpreh në mbyllje të seancës: ”Përsa kohë që opozita nuk pranon të votojë ndryshimet kushtetuese dhe këto ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit nuk janë të mundshme pa votën e opozitës, zgjidhjen e dha zoti Kryeministër"
Ndërkohë, gjatë ditës, seanca vijoi me diskutime të zgjatura të deputetëve nga të dy grupet parlamentare të PD dhe PS. Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit sqaroi rrjedhën e procedurave dhe praktikave parlamentare për çështjen e heqjes së imunitetit, gjatë këtij sesioni parlamentar.
“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Rregulloren e Kuvendit, nenet 77, pika a, dhe 77 pika b, siç jeni në dijeni iniciativa është depozituar në datën 6 Korrik nga grupi i maxhorancës. Në datën 8 Korrik është bërë Konferenca e Kryetarëve, e cila ka përcaktuar kalendarin, bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Është njoftuar seanca plenare, është mbedhur Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit për shqyrtimin e iniciativës dhe propozimeve për heqjen apo kufizimin e imunitetit në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj, nga data 20 deri në datën 21 është bërë seanca dëgjimore e Këshillit të Legjislacionit dhe e Komisionit të ligjeve, për të dëgjuar opinionet dhe komentet e ekspertëve të huaj, të ekspertëve vendas, të njerëzve që vijnë nga fusha e drejtësisë, të grupeve të ndryshme të interesit, të titullarëve të institucioneve kryesore kushtetuese dhe të ndërtuara me ligj në Republikën e Shqipërisë.
Sot, siç jeni në dijeni, në datën 6 gusht, bazuar në Rregullore, nenet 77, pika a dhe 77, pika b, është detyrim që seanca plenare të bëhet jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tri javë nga data e paraqitjes së dokumentit nga dy relatorët.
Lidhur me heqjen e imunitetit Kryetarja e Kuvendit theksoi se, maxhoranca paraqiti fillimisht draftin, i cili ishte copy-paste i projektit të organizmave ndërkombëtare PACA dhe Euralius.
“Pas një viti e gjysmë diskutimesh mbi çështjen e imunitetit dhe ndryshimin e Kushtetutës për të, dhe pastaj gjatë negociatave të zotit Paloka dhe zotit Majko, maxhoranca përsëri pranoi variantin kryesisht të PS-së. Sot jemi për të votuar këtë variant, i cili është edhe një ndër kushtet për marrjen e Statusit të vendit kandidat”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Seanca plenare që mbylli dhe punimet e këtij sesioni, mbaroi në orën 18.30