Kryeministri Berisha, i cili po kalon disa ditë pushimi në Dhërmi me familjen, nipërit dhe mbesat e tij, pasditen e së shtunës i është bashkuar të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike duke vizituar Kampingun Veror "Blue Marine" që ata kanë ngritur në plazhin e Drimadhes (Dhërmi).
Kjo iniciativë e Forumit vjen në kuadrin e aktiviteteve formuese të Forumit, për të rinjtë e FRPD-së por jo vetëm. Në çadrat e këtij Kampingu mblidhen çdo javë rreth 150 të rinj, kryesisht nga Tirana, por dhe nga qytetet e tjera të vendit të cilët organizohen me grupe.
Kampingu Veror, i vendosur në një nga plazhet më të bukura të Shqipërisë, atë të Drimadhes, është hapur në datë 22 Korrik dhe do të qëndrojë deri në datë 10 Shtator. Aty ofrohet jo vetëm argëtim, aktivitete sportive, por edhe trajnime të ndryshme, si një shkollë vere, një mënyrë e këndshme jo vetëm për të kaluar verën, por dhe për t’u njohur e socializuar me njëri - tjetrin. Duke shprehur kënaqësinë që takohej me këta të rinj, në bashkëbisedimin me ta Kryeministri Berisha i përgëzoi të rinjtë për këtë iniciativë si dhe i inkurajoi ata për të ndërmarrë të tilla nisma edhe në të ardhmen.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha iu drejtua të rinjve duke bërë një pasqyrë të potencialeve turistike të vendit, jo vetëm në bregdet, por edhe në zonat malore. Ai i inkurajoi ata që të vizitojnë këto vende duke i kthyer në pika të rëndësishme jo vetëm pushimi, por edhe sportive. Me tej Kryeministri Berisha u ndal tek investimet në vend duke theksuar se, “ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të bëhet një vend i zhvilluar, dhe që Shqipëria të ketë një zhvillim të qëndrueshëm”.
Si histori suksesi Kryeministri Berisha vuri në dukje ndërtimin e më shumë se 70 hidrocentraleve të cilat janë vepra të qëndrueshme. “Japin energji me koston më të ulët dhe natyrisht kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm të cilën e trashëgojnë edhe ata që vijnë pas nesh”, theksoi z. Berisha. Duke u ndalur në zhvillimet politike, kryeministri Berisha theksoi se data 6 gusht, është një ditë historike për heqjen e imunitetit për qeveritarët, ministrat dhe gjyqtarët. Në lidhje me refuzimin e opozitës për të mos votuar këtë ligj mjaft të rëndësishëm për barazinë para ligjit të zyrtarëve të lartë, kryeministri Berisha tha: “Në të vërtetë imuniteti është një mur që pengon luftën e korrupsionit të këtyre zyrtarëve sepse dekurajon prokurorinë, për të nisur hetimin ndaj një njeriu që është me imunitet, e bën të pasigurt përpjekjen e tij të ndershme për të zbatuar ligjin sepse ka përpara murin e imunitetit, mur i cili i ndan qytetarët në një grup në shoqërinë e barabartë para ligjit dhe qeveritarët e pabarabartë me ta para ligjit dhe që historikisht ai ka rënë duke u hequr, duke u eliminuar”.
Përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2013, kryeministri Berisha u shpreh: “natyrisht që shqiptarët në vitin 2013 do t’i japin një leksion edhe më të hidhur se sa në vitin 2011 për këtë duhet të punojmë të gjithë bashkë. Çfarëdo që ne kemi realizuar, ne jemi përpjekur që të zbatojmë programin tonë, por duhet të rendim sëbashku pas çdo vote, pas çdo mendje, pas çdo zemre të qytetarëve të këtij vendi për të patur një fitore të merituar për ne dhe për vendin”.