Gjatë diskutimit të sotëm në seancë plenare, deputetja socialiste Valentina Leskaj ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste për imunitetin, duke nënvizuar se PS e ka kërkuar heqjen e imunitetit që nga 2003, dhe se ky qëndrim mbetet i pandryshuar, si edhe i konfirmuar edhe me votën e dhënë në Komisionin e Ligjeve. “Ne synojmë hapjen e një procesi serioz e përfshirës për ndryshimet në Kushtetutë, që i kontribuon një sistemi drejtësie të pavarur e të qëndrueshëm dhe që propozimet për ndryshimet kushtetuese të mos diskutohen e votohen dy herë brenda muajit po në një paketë. Propozimi i opozitës në thelb synon disa garantë për sistemin e drejtësisë që e bëjnë edhe kufizimin e imunitetit efiçent në luftën kundër korrupsionit,” është shprehur deputetja socialiste gjatë fjalës së saj.
Ndërsa më poshtë fjala në Kuvend e deputetit të PS, njëkohësisht bashkëkryetar i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafaj:
Të nderuar kolegë,
Po e them që në fillim. Në vlerësimin tim ky është një debat tërësisht i imponuar në mënyrë të njëanshme, tërësisht inproduktiv dhe për fat të keq një dëshmi tjetër e gjendjes ku gjendet vetëdija dhe kultura jonë politike, një dëshmi tjetër e hidhur e faktit se interesat politike të ditës prevalojnë mbi interesin e vërtetë të qytetarëve, mbi interesat reale të shqiptarëve, se zgjidhjet irracionale e ekstraligjore prevalojnë mbi frymën e zgjidhjet kushtetuese, mbi precedentët tanë dhe praktikat e shëndosha ndërkombëtare.
Ka disa pyetje të thjeshta që vërtiten çdo ditë sot në këtë debat shterp politik, përgjigjet e thjeshta ndaj të cilave çmoj se kanë thelbin e së vërtetës. Le t’i ballafaqojmë me durim dhe pa paragjykime, me racionalitet dhe pa tensione, me sinqeritet dhe vullnet për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Më pas, se kush ka të drejtë, le ta gjykojë qytetari shqiptar.
Ta nisim nga pyetja thelbësore: a është e gatshme opozita të përdorë votën e saj për kufizimin e imuniteteve për deputetët dhe gjykatësit?
Në mënyrë të përsëritur, duke konsideruar rëndësinë e posaçme të këtij akti, opozita ka shpallur vullnetin e saj të fortë politik se është e gatshme të votojë PRO ! Pro për një mijë e një arsye.
Grupi socialist ka marrë vendim unanim të votojë PRO kufizimit të imunitetit. Deputetët socialistë, përfaqësues në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, me mandat të qartë politik nga grupi kanë votuar pro në parim dhe nen për nen për draftin që do të ndryshojë Kushtetutën. Por nga ana tjetër ne nuk kemi votuar pro në tërësi për të. Pse? Sepse nëse do të votohej në tërësi do të thoshte që do të votohej vetë projektligji që në thelb është projektligj për ndryshimin e Kushtetutës, ndërkohë që janë në diskutim dy iniciativa me një sërë amendamentesh. Kjo është dhe një praktikë më e hershme e vetë Kuvendit. Si në rastin e ndryshimeve në Kodin Penal. Ishin katër iniciativa ligjore të sjella nga qeveria. U vendos siç është e udhës dhe e logjikshme që ato të mos miratoheshin veç e veç, por u bashkuan në një tekst të integruar dhe në Kuvend u miratuan në mënyrë të njëhershme. E kundërta do të ishte absurde. E kundërta do të ishte tallje me vetë Kuvendin.
Kjo është arsyeja e vetme e votimit tonë në parim dhe nen për nen për amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Nuk e votuam projektin në tërësi në pritje të përfundimit të procesit që do të prodhojë një tekst të integruar për ndryshimet kushtetuese, për t’u miratuar më pas në Kuvend. Është e papranueshme që të votonim dy herë për ndryshimin e Kushtetutës, njëherë në gusht dhe njëherë në shtator. Është e papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me rregullat dhe praktikat parlamentare. Ky po do të ishte një rast i paprecedentë që do ta bënte Kuvendin e Shqipërisë, të gjithëve ne, qesharak.
Ky është qëndrimi ynë. Askush nuk mund të provojë të kundërtën dhe për më tepër askush s’ka të drejtë të shpif e spekulojë mbi këtë qëndrim të qartë e publik, politik, institucional e parlamentar.
Të shkojmë më tej. Pretendohet se data 6 gusht është produkt i rregullores dhe i miratimit konsensual. Aspak e vërtetë dhe njëra edhe tjetra!
Është paraqitur data 6 gusht, a thua se kjo është një datë e nxjerrë nga kalendari Maja që nëse nuk respektohet, do të shënohet fundi i botës. Por kryeministri thotë se “Data 6 është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS për procedurën e ndryshimeve kushtetuese”.
Si është e vërteta ? Logjika e rregullores është e qartë. Data e votimit në seancë lidhet me kalendarin e punës së komisionit, kushtëzohet me kohën kur ky komision miraton raportin. Pra data e votimit rrjedh nga ecuria e shqyrtimit dhe vendoset pas këtij procesi si hapi fundor i saj. Çfarë bëtë ju? Paravendosët datën e votimit dhe mbi atë kushtëzuat vet procesin. Logjikë tërësisht e mbrapshtë! Sepse për ju kishte më shumë rëndësi data ultimatum se sa vet procesi dhe konsensusi me opozitën.
Por Kryeministri, pa e prishur terezinë thotë: “Data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit, është datë e përcaktuar me konsensus në datën 12 korrik, në seancën e parlamentit”.
E pason kryetarja e Kuvendit dhe sipas saj: “6 Gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë i është bërë e ditur seancës plenare të datës 12 Korrik, të cilën asnjë deputet nga opozita nuk e kundërshtoi”.
Gjithshka e pavërtetë! Vendimi për datën 6 ka qenë një vendim arbitrar, i njëanshëm dhe i paravendosur.
Në konferencën e kryetarëve është kundërshtuar nga përfaqësuesit tanë atje me arsyetimin se nuk është kompetencë e këtij organizmi që të përcaktojë datën e seancës pasi një gjë e tillë mund të caktohet vetëm pasi të mblidhen komisionet përkatëse, mbasi të miratohet axhenda dhe vetëm mbasi të vijë raporti, caktohet data konform rregullores. Mbas një debati të ashpër të zhvilluar përfaqësuesit tanë në këtë mbledhje janë larguar prej saj e pas kësaj Kryetarja ka vendosur veton dhe pa praninë dhe pa miratimin e opozitës ka vendosur datën e paracaktuar 6 gusht.
Një qëndrim i tillë i është imponuar seancës së datës 12 korrik. Në fillim të kësaj seance kryetarja ka njoftuar për vendimin e njëanshëm të konferencës së kryetarëve. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist ka rimbajtur të njëjtin qëndrim duke mos dhënë konsensusin për një vendim të tillë. Kryetarja ka insistuar në qëndrimin e saj duke imponuar vendimin e njëanshëm të shumicës së Konferencës së Kryetarëve. Ajo nuk ka zbatuar as vetë rregulloren e cila përcakton se kur nuk ka konsensus, vendimi hidhet në votë dhe seanca vendoset me votim. Këtë qëndrim të opozitës e gjeni qartazi në procesverbalin e seancës përkatëse.
Çfarë ndodh? Shumica këtu në Kuvend flet për një proces konsensual, por në të njëjtën kohë, vetë cakton se kur thirret komisioni, vetë cakton kush do të thirret në komision, vetë cakton datën e seancës. Ky nuk quhet konsensus, ky quhet imponim. Ky është thjesht dhe vetëm mungesë vullneti qoftë dhe minimal për kompromis politik, është thjesht dhe vetëm mungesë sinqeriteti në marrëdhënie me opozitën dhe vetë Kushtetutën.
Nuk mbaron këtu! Kryeministri i zhytur në ujërat që turbullon vetë, thotë: “Nuk po shkojmë të votojmë variantin që paraqitëm ne, të dashur qytetarë, por po shkojmë të votojmë variantin që kërkoi opozita”.
Partia Socialiste ka kërkuar që kufizimi i imunitetit të bëhet duke ndryshuar Kushtetutën sepse nuk mund të bëhej në asnjë mënyrë tjetër. Koha i dha asaj të drejtë, pavarësisht se siç po rezulton kushtoj shtrenjtë! Ndërkohë, të gjitha iniciativat publike dhe politike të ndërmarra nga PD në këtë fushë, përjashtonin këtë rrugë, zgjidhjen kushtetuese. I vetmi rast kur ka pasur një projekt për ndryshimin përmes Kushtetutës është drafti konsensual i vitit 2008 që mbeti sirtarëve të Kuvendit ndërkohë që të gjitha propozimet tuaja para e pas tij kanë qenë tërësisht joligjore. Të njëjtën gjë, të njëjtën ide e kanë artikuluar në rekomandimet e tyre edhe misioni Euralius dhe PACA. U rikonfirmua një gjë e tillë edhe në konferencën e tetorit të vitit të kaluar.
Po më e çuditshmja nga të gjitha ka qenë një deklaratë tjetër e kryeministrit teksa ka thënë se “Kjo mazhorancë i ka bërë zotit Rama çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit”. Si mund të trajtohet kështu Kushtetuta? Është pronë vetjake e kryeministrit? Është ornament i zyrës së tij që ai e jep ose jo sipas dëshirës dhe që e lëshon si t’ ja dojë qejfi për kompromiset e radhës? Kjo është tërësisht absurde. Një qasje e papranueshme për një Kryeministër i cili duhet të kërkoj ndjes publike për këtë deklaratë aspak korrekte!
Shumë deputetë të PD-së na kanë falenderuar për amendamentet tona. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe vet ekspertë ndërkombëtarë. Ekziston një dokument i përbashkët me qëndrim të unifikuar të katër misioneve të ekspertizës ndërkombëtare PACA (KiE/BE), OPDAT-it, Euralius dhe Prezencës së OSBE-së. Një dokument që i drejtohet Kuvendit, komisionit të legjislacionit dhe atij të ligjeve, por që siç ndodh rëndom nuk mbërriti kurrë në këtë rrugë tek opozita. Ai dokument qartësisht mbështet pozicionet e përfaqësuesve të PS-së dhe projektit të saj biles duke korrigjuar edhe disa nga qëndrimet dhe përcaktimet e mëparshme të tyre.
Mesazhi tashmë është dhënë – Është miratuar konsensualisht drafti për imunitetin. Të gjitha palët janë dakord me të. Procesi formal do ketë kohën e vet. Veprimi ndryshe do të ishte një mesazh shumë i keq – që në këtë vend kushtetuta nuk ka vlerë mund të ndryshojë kur e si ta dojë politika, kur dhe si ta vendosë kryeministri !! Ky do të ishte një mesazh shumë i keq për publikun, një imazh shumë i keq për vendin, për shtetin e së drejtës, për qasjen që ne kemi ndaj ligjit e Kushtetutës dhe një provë tjetër e mosseriozitetit e klasës sonë politike.
Të nderuar kolegë,
E fundit, por jo për në fund. Kryeministri në fillim dhe kori mbas tij, e kanë konsideruar kufizimin e imuniteteve si një kusht të BE-së për integrimin, si një obligim për të rrëzuar murin e korrupsionit dhe për të hapur portën e mbyllur të BE-së. Ka shumë për të thënë në këtë pikë. Po e nis me disa pyetje fare të thjeshta : nëse ka qenë kështu, pse kryeministri e solli këtë draft në Kuvend në momentin dhe minutën e fundit të mbylljes së sesionit, kur drafti i përgatitur nga PACA e EURALIUS i ishte dorëzuar atij që në tetor të vitit të kaluar? Pse priti dhjetë muaj kryeministri për ta sjellë në Kuvend e për të rrëzuar murin e korrupsionit? I mungonte vullneti i tij apo e pengoi të hap sirtarët e tij opozita? Nëse ky ndryshim i Kushtetutës ishte kusht i ndërkombëtarëve për integrim dhe për këtë nevojitej konsensusi i opozitës, pse nuk e përfshiu atë në marrëveshjen e nëntorit me opozitën pasi kishte marrë edhe opinionin e 12 rekomandimet e KE-së? Kush e pengoi? Opozita që është kundër integrimit dhe që ja kërkoj këtë gjë publikisht në fundvitin e kaluar në paktin e propozuar, por dhe në shkurt të vitit të kaluar në debatin e zhvilluar këtu në Kuvend!
Ju po i shërbeni fort alibisë se kufizimi apo heqja e imuniteteve është muri që duhet shembur për antikorrupsionin, çelësi për integrimin! Po jo vetëm realiteti ynë i hidhur, por edhe përvoja ndërkombëtare nuk ju ndihmon aq shumë.
Për të bindur BE-në në seriozitetin e luftës anti-korrupsion Kroacia dha prova serioze (arrestoi ishkryeministrin), Bullgaria gjithashtu (arrestoi dy ministra), Rumania vijoi më tej me shumë më tepër arrestime, përfshirë edhe ish kryeministrin, Mali i Zi detyroi kryeministrin të dorëhiqej nga politika, etj. E besoj se e dini se të gjitha këto vende e kane të sanksionuar në Kushtetutë imunitetin siç e kemi ne sot. Kjo nuk i pengoj ato të bëhen pjesë e BE-së dhe disa prej tyre të përshëndeten prej saj për reforma të qëndrueshme. Kjo nuk e pengoj dhe vet BE që të kritikoj këto ditë ashpër Rumaninë e Bullgarinë për mungesë të zbatimit të ligjit dhe çështjet e korrupsionit edhe pse të dyja këto vende kanë bërë gjatë kësaj periudhe kufizimin e imunitetit.
Ka një fjali shumë interesante në letrën e komisionerit Fyle : “Reformat në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një faktor kyç për lëvizjen përpara në udhën drejt integrimit në BE”. Mesazhi është i qartë, nuk bëhet fjalë thjesht e vetëm për kufizimin e imuniteteve, por edhe për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit. Sepse në Shqipëri, siç është tashmë e qartë, nuk është problem legjislacioni, por zbatimi i tij.
Prandaj kërkohet reforma në drejtësi, forcimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë, prokurorisë e gjykatave.
Ndaj, Partia Socialiste, e përgjegjshme për rolin dhe kontributin e saj të sotëm në opozitë dhe të nesërm në qeverisjen e vendit, është e vendosur që t’i qëndrojë fort vullnetit të saj politik për kufizimin e imuniteteve, shoqëruar së bashku me procesin e reformës në drejtësi edhe përmes ndërhyrjeve në Kushtetutë përsa do të çmohet e arsyeshme në përfundim të procesit që do të zhvillohet. Ne i qëndrojmë fort vullnetit që respekton procedurat dhe dinjitetin e vetë Kushtetutës.
Zoti kryeministër, Ju po kërkoni ta lidhni miratimin ose jo të amendamenteve për imunitetin me marrjen e statusit kandidat për në BE! Shembujt e mësipërm vërtetojnë të kundërtën. Pavarësisht kësaj ju po mundoheni fort të bindni shqiptarët se po nuk u votua për këtë çështje nuk na japin statusin dhe fajin e ka opozita. Alibi e bukur politike! Po kam një pyetje tjetër në invers? Po nëse amendamentet për imunitetin miratohen brenda muajit shtator siç edhe kërkohet nga komisioneri dhe ne larg qoftë nuk na i japin statusin e vendit kandidat e kujt është përgjegjësia? Jeni ju të gatshëm ta pranoni këtë përgjegjësi publike e të dorëhiqeni nga posti juaj?!
Zoti Kryeministër, ka një zgjidhje konsensusi edhe në këto moment të vështira nëse ju keni vullnet real konsensusi.
Amendamentet tuaja tashmë e kanë marrë miratimin, seanca e sotme le të konsiderohet një tjetër konfirmim i këtij vullneti të përbashkët. Sot votojmë dhe miratojmë një vendim të përbashkët ku shprehim me votë unike vullnetin e pakthyeshëm për amendamentet për imunitetin duke e konsideruar këtë një arritje pozitive dhe ndërkohë i hapim rrugë procesit të debatit parlamentar për amendamentet kushtetuese të propozuara nga ana jonë duke synuar diskutimin dhe votimin e tyre në Kuvend në një draft të konsoliduar, në një projekt të vetëm brenda muajit shtator ashtu siç kërkohet edhe nga BE. Ndërkohë caktojmë edhe detyrën për të bërë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera pa të cilat këto ndryshime kushtetuese për imunitetin nuk mund të bëhen të zbatueshme. E ato i duan disa javë punë përgatitjeje, shqyrtimi e miratimi. Kështu secila nga palët bën hapin e vet pozitiv, të dyja bëjmë hapin e duhur për zgjidhjen e duhur, të sinqertë e të qëndrueshme.
Nëse ju këmbëngulni në variantin tuaj, në ultimatumin tuaj kjo do të ishte një goditje e rëndë e nevojës për konsensus, do të ishte një zhgënjim për Brukselin që përmes komisionerit Fyle ju ka bërë thirrje të tregoni “rezultate konkrete të fokusuar në reforma dhe ngulmimin për të treguar sinqeritet dhe aftësi për kompromis me qëllimin për të arritur paraqitjet dhe rezultatet e nevojshme në shtator”.
Në të kundërt një votim sot dhe një votim në shtator do të ishte sikur të bënim një votim sot për statutin e PD-së dhe një votim nesër për statutin e PS-së. Kjo do të ishte sinqerisht e turpshme. Shqipëria dhe shqiptarët kanë një kushtetutë dhe ne duhet të tregojmë respekt e përulësi ndaj saj edhe në mënyrën se si kërkojmë ta amendojmë atë.
Në të kundërt qëllimi juaj është thjesht politik dhe paraelektoral. Kjo do të tregonte se mbi respektin për Kushtetutën dhe kushtetutmbajtësin rëndësi ka axhenda e interesat tuaja personale, politike dhe elektorale.
Kjo nuk është rruga që siguron konsensusin. Kjo është logjikë përjashtuese, logjika që na ndan, muri që i vihet procesit të bashkëpunimit e konsensusit.