Një muaj pas marrjes së mandatit në krye të shëndetësisë shqiptare, Ministri Tavo ka vijuar takimet me drejtues të spitaleve rajonale të vendit. Në Spitalin e Elbasanit, Ministri i Shëndetësisë ka marrë pjesë në përurimin e vendosjes së aparaturës së skanerit, i financuar me fonde të kredisë austriake në vlerën e 80 milion lekëve.
Për mediat e pranishme, Z. Tavo theksoi seinstitucioni që ai drejton ka si qëllim që ta adresojë siç duhet thellimin e reformës së nisur në shërbimin spitalor, e cila përveç ndryshimeve në organizimin, menaxhimin dhe financimin e institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore spitalore, synon edhe racionalizimindhe standardizimin e tyre, si në infrastrukturë ashtu edhe në teknologji dhe burime njerëzore.
“Politikat e Ministrisë së Shëndetësisë synojnë sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për popullatën, ku vëmendje e veçantë po i kushtohet aksesit ndaj shërbimeve, cilësisë, qëndrueshmërisë financiare si dhe motivimit të ofruesve të shërbimit, të cilët konsiderohen indikatorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e shërbimit” u shpreh Ministri Tavo.
Lidhur me këtë çështje Z. Tavo vuri në dukje rëndësinë e veçantë që po i jepet përmirësimit të teknologjisë mjekësore duke rritur cilësisht shërbimet që do t’i ofrohet qytetarëve, sipas standardeve të aplikuara njësoj në të gjithë vendin,si dhe sigurimin e mjeteve për përcaktimin e shpejtë dhe të saktë të diagnozës dhe trajtimit të patologjive kryesore.
Ndikim të rëndësishëm në vendosjen e hershme dhe të saktë të diagnozës në mjekësi, nga e cila varet prognoza dhe shkalla e invaliditetit të të sëmurit, përveç ekzaminimeve laboratorike, sidomos në kuadrin e shtimit të madh të traumave, kanë ekzaminimet imazherike. Në vendin tonë kryhen rreth 424.000 ekzaminime radiologjike dhe rreth 248.000 ekzaminime ekografike në vit. Këtij fakti i shërbejnë investimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë në dy vitet e fundit, në drejtim të forcimit të shërbimit të imazherisë, duke përmirësuar pajisjet imazherike në spitalet rajonale me instalimin e skanerit dhe rezonancës.
Gjatë fjalës së tij kreu i shëndetësisë theksoi se të gjitha spitalet rajonale janë të pajisur me teknologji të lartë dhe bashkëkohore duke ofruar mundësitë më të mira në rajon përsa i përket nivelit të vendosjes së diagnozës.
Përveç skanerit sot u përurua edhe instalimi i fibrogastroskopia, të cilat janë vendosur në një godinë brenda ambjenteve të qendrës spitalore, një financim nga Ministria e Shëndetësisë me një fond prej 9 milion lekësh.
Në dy vitet e fundit në spitalet e vendit tonë është bërë i mundur instalimi i njëmbëdhjetë skanerave(dy përmes projektit japonez, gjashtë me kredinë austriake si dhe tre të tjerë nga buxheti i shtetit) dhe i tre rezonancave manjetike.
Gjithashtu Shërbimi i Neurokirurgjisë dhe Urgjenca Mjekësore pranë QSUT-së janë pajisur me teknologjinë më moderne të kohës, ndërsa në spitalet bashkiake përmes vendosjes së aparaturave të mamografisë si dhe aparaturave radiografike dhe ekografike ofrohet shërbimi shumë pranë qytetarit.