“AK i rikujton ministrit Panariti që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i shenjtë për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe ligjërisht është i paankimueshëm dhe ndryshueshëm mbi bazat e interesit të Athinës zyrtare. Çdo rinegocim i marrëveshjes detare me Greqinë është akt tradhtie mbi interesat e kombit shqiptar dhe Republikës së Shqipërisë.
Bëri mirë ministri i Jashtëm që na informoi pas muajsh heshtjeje që grupet e punës po punojnë për riformulimin e marrëveshjes, e cila mesa duket deri në shtator kur Panariti do të takojë Avramopullos do të jetë gati, e hartuar dhe përpiluar sipas interesave të Athinës zyrtare. Dënojmë me forcë çdo mundësi për plotësimin e tekave dhe haraçit të Athinës kokëforte e cila është mësuar t’i vërë kushte fqinjëve të saj duke marrë peng projekte evropiane dhe rajonale. Panariti të mos “tentojë, as me mbështetjen e Sali Berishës dhe Antonio Samaras që të prekë dhe ndryshojë kufijtë e Republikës së Shqipërisë pasi do të përballen me protesta masive të cilat ne epiqendër të tyre do të kenë ndëshkimin e tradhtarëve të kombit shqiptar.
AK thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më shumë se i qartë kur cilëson antikushtetuese marrëveshjen e kufijve detare me Greqinë dhe nuk le hapësira për të punuar mbi të. Në këtë kontekst AK shprehet se asnjë projekt gazsjellësi apo naftësjellësi nuk mund të këmbehet me kufijtë e territorit të Republikës së Shqipërisë”, përfundon deklarata e Aleancës KuqeZi".
Kjo ka qënë një pjese e deklaratës së bërë nga Aleanca Kuq e Zi, në kundërpërgjigje të deklaratës së sotme të Ministrit të jashtëm Panariti i cili ka theksuar se marrëveshja e ujërave me Greqinë do të shërbejë si një pengesë kryesore në avancimin e projektit për gazsjellësin TAP.
Në një konferencë për mediat, Panariti u shpreh se këto dy cështje do të trajtohen të pavarura nga njëra-tjetra, ndërsa konfirmoi mbështetjen e dy homologëve grek dhe italian sa i përket projektit Tras-Adriatik, duke i vlerësuar maksimale shanset për arritjen e marrëveshjes mes palëve.