Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), nëpërmjet medias, mësoi për vrasjen në Elbasan të Gentian Beqirit dhe vdekjen e babait të tij, për shkak të një ataku të rëndë kardiak. Sipas të dhënave të medias, Gentian Beqiri ndodhej në gjendje arresti shtëpie, i akuzuar për krimin e një vrasje. Ai ishte në proces gjykimi.
Megjithëse Gentian Beqiri, duke qenë në arrest shtëpie, ndodhej në ruajtje të punonjësve të policisë, persona të panjohur kanë mundur të hyjnë brenda shtëpisë dhe ta vrasin atë në krevat. Thuhet se pikërisht për këtë shkak, pësoi tronditje të fortë emocionale edhe babai i tij, i cili vdiq më vonë në spital.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, edhe më parë ka reaguar për nevojën e parandalimit të krimeve dhe, zbatimit sipas rastit të ligjeve në fuqi. Kjo është bërë me qëllimin e ruajtjes në radhë të parë të jetës së personave dhe sigurimit të rendit publik. Për KShH-në, ky është një rast flagrant dhe mjaft negativ, nga i cili duhet të nxirren mësimet përkatëse, duke marrë në të ardhmen edhe masat efektive, veëanërisht ndaj personave që me vendime gjyqësore u është kufizuar liria. Në rastin konkret, duket se janë shkelur ligjet dhe rregullat e caktuara. Si pasojë është vrarë një person dhe ka vdekur një tjetër.
Duke marrë shkas nga ky rast, KShH e shikon të nevojshme të evidentojë faktin se në Dhjetor të vitit 2011 është miratuar ligji Për mbikqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendime gjyqësore. Kjo mbikqyrje zbatohet edhe në rastet e arrestit të shtëpisë. Theksojmë se ligji ka hyrë në fuqi në 1 Prill 2012.