Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit, Arbën Xhaferri, zotit Menduh Thaçi dhe të gjithë anëtarëve të PDSH-së.
Në telegram thuhej:
"Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, udhëheqësit politik, të urtë dhe vizionar, themeluesit dhe Presidentit të Nderit të PDSH-së, avokatit të vendosur të shqiptarëve në Maqedoni, dhe çështjes shqiptare në tërësi, është lajm që sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek ju, por edhe tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët.
Me ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit, në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, janë një trashëgimi tejet e çmuar, që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.
Duke ndarë me Ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbënin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh të gjithëve Ju, ngushëllimet më të sinqerta, lutem së bashku me Ju, që shpirti i madh i Arbën Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur, të frymëzojë shqiptarët, për të shndërruar në realitet, idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare".