Ka reaguar Partia Socialiste lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi për kufirin detar.
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri ka dhënë një deklaratë për mediat.
Më poshtë jepet deklarata e plotë:
"Pa u tharë mirë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pa u bërë e ditur ndonjë masë konkrete për zbërthimin dhe marrjen parasysh të këtij vendimi nga qeveria shqiptare, por mbi të gjitha pa u nxjerrë përgjegjësitë përkatëse ligjore, qoftë dhe penale, për secilin nga negociatorët e marrëveshjes së mëparshme për kufirin detar në kanalin e Korfuzit, Qeveria Shqiptare duket se po nxiton të përfundojë një marrëveshje të re me shtetin fqinj për ndarjen e detit, me të njëjtën mungesë transparence, errësirë e fshehtësi, por akoma më keq, mbi të njëjtat parime të cilat u rrëzuan unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.
Në një kohë kur Sali Berisha, nga njëra anë dërdëllit gjithë ditën për imunitetin, dhe nga ana tjetër grabit institucionet kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë, siç bëri me emërimin e Çefës në KLD apo me emërimin e SHIK-sit të Gazidedes, vazhdon nën errësirë të plotë, pa kurrfarë transparence, të hedh hapat e parë drejtë një marrëveshje tjetër për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kujtojmë që Ministrin e asaj kohe, të gatshëm për të hedhur firmën në një marrëveshje që i grabiste Shqipërisë dhe shqiptarëve mijëra kilometra det, e bëri Kryetar të Bashkisë Tiranë me vjedhje votash, ndërsa negociatorëve faqezi që negociuan një marrëveshje antikombëtare, me Gervenin në krye, nuk u hyri gjemb në këmbë dhe pse askush prej tyre nuk kishte imunitet.
Në këtë 100 vjetor të pavarësisë, ne nuk do lejojmë një tjetër marrëveshje si ajo e para që u hartua në errësirën e korridoreve e nën tavolinat e qeverisë së Sali Berishës, marrëveshje që cënonte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Nuk do lejojmë që pas 100 vjetësh pavarësi, Sali Berisha të ç’ bëjë territorin dhe sovranitetin kombëtar për interesa të politikës së tij antikombëtare.
Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike Plotfuqinë me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese.
Marrëveshja e re nuk mund të negociohet përsëri nga Gerveni e shokë, të njëjtët që nuk patën pikën e ndërgjegjes profesionale dhe kombëtare kur hartuan qorrazi marrëveshjen e parë.
Ne kërkojmë transparencë në çdo hap të bisedimeve dhe negociatave për marrëveshjen e re. Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhme, kurdo qoftë ajo.
Ne kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë, sepse vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund ti blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij. Dhe meqë Sali Berishës ia do puna të hiqet sikur pyet shqiptarët, le ta nisë nga marrëveshja e re për kufirin detar ndërmjet Shqipërisë dhe vendit fqinj. Të bëjë transparencë të plotë për gjithçka është bërë deri tani e për gjithçka do bëhet në vijim.
Grupi Parlamentar i PS do monitorojë nga shumë afër të gjithë hapat që do të hedhë Qeveria në këtë drejtim, duke bërë të njëjtën gjë që bëmë dhe herën e parë, të jemi garant të sovranitetit kombëtar dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.
Sali Berisha le të mbajë President Bujarin, Çefën dhe Shik-sin e Gazidedes. Në zgjedhim Shqipërinë dhe shqiptarët.