Kryeministri Berisha priti dje në një takim deputeten britanike Jackie Doyle-Price. Kryeministri Berisha pas ekspozesë së plotë që i bëri deputetes britanike Jackie Doyle-Price rreth ecurisë të vendit në njëzet vitet e reformave demokratike, theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij në përgatitjen e vendit për marrjen e statusit të vendit kandidat të BE.
Kryeministri Berisha tha se gjithçka do varet nga performanca e Shqipërisë dhe se marrja e statusit ishte në dobinë afatgjatë të vendit. “Mos marrja e statusit nuk do dëmtonte thjesht qeverinë, por interesat jetike të të gjithë shqiptarëve”, - theksoi kryeministri Berisha, duke veçuar se ndërsa opozita bashkëpunoi shumë mirë për reformën zgjedhore, nuk veproi kështu për heqjen e imunitetit.
Deputetja britanike Jackie Doyle-Price, duke vlerësuar ecurinë e reformave të qeverisë shqiptare, veçanërisht me politikën e taksave të ulta dhe zhvillimin e sektorit energjetik, shprehu bindjen se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa garantoi mbështetjen që vendi i saj do vazhdojë t’i japë asaj në rrugën e integrimit.
Ajo tha se kish pare një Shqipëri befasuese në mikpritjen dhe lirshmërinë e njerëzve të saj, por edhe në bukurinë e saj dhe se në kthim do të propagandonte në mesin e miqve të saj Shqipërinë turistike.
Kryeministri Berisha pasi vlerësoi organizimin e Lojërave Olimpike në Londër si me të mirin e të gjithë kohërave tha se, marrëdhëniet mes dy vendeve po forcohen çdo ditë e më shumë duke veçuar numrin çdo vit në rritje të studentëve shqiptarë të mbështetur nga qeveria shqiptare në Universitetet më të mira të Britanisë së Madhe.