English

Stamboll. Ndalohet pirja e birrës gjatë një koncerti roku. Përplasje fetare

Muaj i shenjtë mysliman i Ramazanit, përfundon në 18 gusht, por ky muaj mund të ketë qënë dhe një muaj fërkimi midis preferencave fetare sidomos në Stamboll ku jeton rreth 1/4 e popullsisë së Turqisë. Këtë vit, Ramazani është shënuar nga një protestë kundërlaike mbi përpjekjet e fundit për të kufizuar konsumin e alkoolit.

Në një koncert ndërkombëtar rok të kohëve të fundit në Universitetin Bilgi të Stambollit, pati përplasje midis personave fetarë dhe atyre laikë. Aktiviteti një-ditor u sponsorizua nga prodhuesi kryesor i birrës në Turqi, por një vendim i momentit të fundit ndaloi përdorimin e alkoolit. Mijëra spektatorëve të muzikës iu desh të shuanin etjen vetëm me limonadë dhe ujë.

Vendimi provokoi një trazirë. "Kjo nuk është një betejë në lidhje me alkoolin, por për liri", shkroi një kolumnist kryesor, Hasan Cemal, në gazetën Milliyet më 17 korrik. Një debat mbarëkombëtar pasoi gjatë javëve të Ramazanit mbi drejtimin e vendit, dhe në veçanti, në qytetin e madh të saj, Stamboll.

Koncerti u mbajt në lagjen Eyup, e cila ka një komunitet të madh fetar, ku Ramazani është ndjekur në mënyrë rigoroze. Autoritetet lokale, të dominuara nga partia qeverisëse me rrënjë islamike AK, e mbrojti ndalimin, duke përmendur ndjeshmërinë fetare të banorëve.

Në lagjen Eyup ka opinione të përziera në lidhje me ndalimin. Ja si shprehet një qytetar:

“Njerëzit në lagje organizuan një peticion për të ndaluar që alkooli të shitej në koncert, por unë nuk e nënshkrova atë sepse nuk besoj se duhet ndërhyrë në jetën e njerëzve të tjerë.”

Kjo grua nuk është dakord.

“Kjo është një zonë kryesisht muslimane kështu që ndalimi ishte i nevojshëm për respekt ndaj nesh.”

Shumë nga opinionistët e gazetave kryesore të vendit e kanë kritikuar ndalimin. "Kjo nuk është një betejë në lidhje me alkoolin, por në lidhje me lirinë", shkruante opinionisti i njohur Hasan Cemal i gazetës Milliyet.

Por, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan, partia AK e të cilit dominohet nga islamikët, deklaroi me krenari se ai ishte nismëtar i vendimit për të ndaluar alkoolin në koncert.

"Ata duan që të gjithë të rinjtë tanë që të jenë alkolikë. U thashë autoriteteve të universitetit se ishim të shqetësuar në lidhje me festivalin. Si mund të ndodhë një gjë e tillë?"

Në Stamboll gjenden disa prej xhamive më të rëndësishme të botës Islamike... por qyteti është gjithashtu i famshëm për gjallërinë e netëve me bare dhe restorante të ndërtuar shekuj më parë. Në këtë restorant, pjata të vogla të shijshme shërbehen së bashku me pijen kombëtare, raki.

Gokhan Tan i Universitetit Bilgi të Stambollit shqetësohet se ekuilibër delikat i qytetit po ndryshon.

"Kryetari i bashkisë tha se nuk do të shitej alkool në lagjen Uskudar i parë, dhe kjo po ndodh dhe në zona të tjera, sidomos në Bejoglu. Ata nuk e thonë drejtpërdrejt, por e drejta për të pirë alkool në vende publike është pakësuar dhe kjo është një zonë argëtuese. Ajo që ata thonë është se kemi të bëjmë me një vend të veçantë që duhet të ruhet. Ato janë në fakt zona të partisë në pushtet."

Por në lagjet e kontrolluara nga partia e qendrës së majtë, ka pasur një rrtije të ndjeshme të numrit të bareve dhe restoranteve.

Në lagjen Kadikoy, e cila është në anën aziatike të Stambollit, dhjetëra bare dhe restorante janë hapur brenda një viti. Njerëzit ulen për të pirë e për të ngrënë ditën dhe natën, edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Por shumica e tyre janë të vetëdijshëm që qyteti po ndryshon:

"Unë jetoj 25 kilometra larg prej këtu. Por nuk mund të pi në lagjen time, kështu që bëj gjithë këtë rrugë që të mund të pi alkool. A ka kuptim kjo gjë?"

Një gazetar i njohur islamik ka sugjeruar se njerëzit laikë dhe ata fetarë duhet të jetojnë në lagje të veçanta.

Për zotin Tan, të Universitetit Bilgi të Stambollit, kjo është një perspektivë e dëshpëruar.

"Ne mendojmë se jeta në qytet është e ndarë në pjesë - kjo është zona juaj, kjo është zona jonë - nuk është një gjë e mirë. Të gjithë jemi banorë. Ne mund të kemi ndjenja të ndryshme, besime të ndryshme dhe jetë të ndryshme. Por jetojmë në të njëjtin qytet, dhe nuk ka përse unë ta kufizoj veten vetëm në lagjen "time"?

Në Stamboll banojnë mbi 15 milionë njerëz, që përbëjnë gati një të katërtën e popullsisë së vendit dhe, në një farë mënyre, qyteti është një pasqyrim i vetë Turqisë. Në qoftë se ndarjet e vullnetshme zëvendësojnë tolerancën, ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë një shenjë shqetësuese jo vetëm për të ardhmen e Stambollit, por për atë të të gjithë vendit.

KOMENTE