Britania e Madhe dhe Suedia kanë kritikuar Ekuadorin për dhënien e azilit politik për Julian Assange.
Themeluesi i Wikileaks u strehua në ambasadën e Londrës në Ekuador në qershor pasi ai u përball me ekstradimin në Suedi gjatë pretendimeve të dhunës seksuale, të cilën ai e mohon.
Britania ka thënë se nuk do të lejojë kalim e tij jashtë vendit.
Ministri i jashtëm i Ekuadorit Ricardo Patino tha se shpresonte se bisedimet me Britaninë e Madhe do të "kapërcehen lehtë".
Ai i tha BBC se Britania e Madhe duhet të respektojë "vendimin sovran" të Ekuadorit ndryshe "ne do të përdorim alternativa sipas të drejtës ndërkombëtare për të kërkuar kalim të sigurt".
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se Britania nuk do të lejojë daljen e sigurt të Assange nga vendi dhe është e vendosur që ta ekstradojë atë në Suedi.
Ndërkohë, një zëdhënës i kësaj ministrie, duke komentuar për vendimin e qeverisë së Ekuadorit e cilësoi atë si “zhgënjyes”.
“Sipas ligjeve tona, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e apelimit të çështjes së zotit Assange, autoritetet britanike janë të detyruara ta ekstradojnë atë në Suedi. Ne do t’i përmbahemi këtij detyrimi. Vendimi i qeverisë së Ekuadorit nuk e ndryshon këtë”.
Pas vendimit, Suedia thirri në takim ambasadorin e Ekuadorit në Stokholm. Një zëdhënës i qeverisë suedeze tha se është “e papranueshme” që Ekuadori po përpiqet të frenojë procesin gjyqësor të Suedisë.
Suedia kërkon ekstradimin e zotit Assange, për ta marrë në pyetje në lidhje me dyshimet për dhunë seksuale. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.
Mbrëmjen e së mërkurës në Ekuador, dhjetra demonstrues bënin thirrje pranë ambasadës britanike, në Kuito, kundër bllokimit të zotit Assange.
Julian Assange ka frikë se Suedia mund ta çojë atë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akzuat që kanë lidhje me daljen në vitin 2010 të qindra mijëra dokumenteve sekrete, ku përfshihen edhe kabllot diplomatike të Departamentit të Shtetit rreth luftrave në Irak dhe Afganistan.