English

Selim Belortaja merr pjesë në Samitin e Organizatës së Koperimit Islamik

Më 14-15 Gusht në Mekë të Arabisë Saudite, zhvilloi punimet Samiti i Jashtëzakonshëm i Organizatës së Koperimit Islamik (OKI). Delegacioni shqiptar në këtë Samit, u kryesua nga zv.ministri i Punëve të Jashtme z. Selim Belortaja.

Në fokus të takimit ishin zhvillimet më të fundit në disa vende e rajone të kësaj organizate dhe nevoja për një reagim të përbashkët dhe energjik në frenimin e dhunës shtetërore, diskriminimit fetar dhe terrorizmit. Po kaq e rëndësishme mbetej edhe ndihma reciproke për mëkëmbjen e vlerave të demokracisë, tolerancës fetare dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.Takimi dënoi ashpër regjimin e Assad në Siri dhe bëri thirrje për ndalim menjëherë të dhunës dhe gjakderdhjes atje. Vemendje iu kushtua gjithashtu edhe çështjes së Palestinës, dhunës me bazë fetare në Birmani, gjallërimit të terrorizmit në Mali e zona të tjera, etj. Në fjalën e mbajtur në sesionin ministerial para samitit, z. Belortaja paraqiti qëndrimin shqiptar për çështjet e mësipërme, dhe theksoi se regjimi ekzistues në Siri e ka humbur përgjithmonë legjitimitetin e qeverisjes së popullit sirian. U nënvizua gjithashtu nevoja për më shumë ndihmë humanitare ndaj refugjatëve dhe të prekurve nga dhuna. Takimi përfundoi me një sërë vendimesh, mes të cilëve edhe ai për pezullimin e Sirisë nga OKI.

KOMENTE