Kryeministri Berisha zhvilloi një takim, me përfaqësues të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen e tij më të thellë dhe të qeverisë shqiptare për kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, në forcimin e marrëdhënieve miqësore e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku ata jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë, por edhe për kontributin që ata japin në ekonominë, jetën e shoqërinë e shtetit fqinj.
Përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë e falenderuan përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe i shprehën mirënjohjen e tyre më të thellë për arritjet e qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në transformimin rrënjësor të Shqipërisë, në të gjitha fushat, duke përfshirë sektorin ekonomik, infrastrukturat e rëndësishme rrugore e të tjera, çuarjen përpara të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO, etj..
Ata e falenderuan në veçanti Kryeministrin për vëmendjen, mbështetjen dhe përkujdesjen që qeveria shqiptare dhe ai personalisht kanë treguar ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të emigrantëve.
Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria shqiptare ruan në përparësitë kryesor të axhendës së saj marrëdhëniet me vendet, ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë, përkujdesjen për adresimin e problematikave që ata hasin, në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të jetesës së tyre, por edhe në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave e identitetit kombëtar, gjuhës e traditave të larta të vendit e kombit tonë. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e vendeve fqinje, Greqisë, Italisë, por edhe të vendeve të tjera dhe në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi po punohet për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet sociale si pensionet, arsimi, hapja e qendrave kulturore etj..
Kryeministri Berisha i njohu gjithashtu me përgatitjet që qeveria shqiptare po bën për festimin me dinjitet të jubileut historik të 100 vjetorit të pavarësisë si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet ku jetojnë e punojnë emigrantë shqiptare, por edhe diaspore shqiptare në përgjithësi
Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të tij, të qeverisë shqiptare e të Partisë Demokratike që emigrantëve shqiptarë t’u garantohen kushtet e nevojshme si për pjesëmarrjen në jetën politike në Shqipëri, ashtu edhe për ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku ata jetojnë.
Përfaqësuesit e përfaqësuesve të Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë rikonfirmuan dëshirën e tyre për ta mikpritur në mes tyre, në çdo kohë që Kryeministri Berisha do të kishte mundësi.