English

Kuvendi i Kosovës nis punën sesioni vjeshtor

Me mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka filluar puna e sesionit vjeshtor të Kuvendit. Është vendosur që në seancën e parë të këtij sesioni, e cila do të mbahet më 30 gusht, të procedohet me pikat e mbetura nga seanca e fundit e sesionit pranveror, e mbajtur më 12 korrik të këtij viti.

Është vendosur gjithashtu që vetë seanca të marrë vendim nëse duhet të procedohet apo jo votimi i tekstit të mocionit të Interpelancës së ministres, Mimoza Kusari-Lila, sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues lidhur me vendimin e MTI-së për vendosjen e tarifës prej 35 % për importimin e çimentos, sepse çështja ka mbetur pa substancë për shkak të heqjes së kësaj tarife po nga ministrja e MTI-së. Menjëherë pas kësaj do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe rekomandimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Mbledhja plenare e Kuvendit në vazhdim do të merret me miratimin e ligjeve. Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për pasurimin e miellit dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Raporti i dytë për zbatimin e Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrim evropian për vitin 2012, Raporti vjetor i punës së Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për vitin 2011, si dhe Raporti vjetor dhe i pasqyrave të audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për të njëjtin vit.
Pikë e fundit e kësaj seance, ndërkaq, do të jetë debati parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues.
Në mbledhjen e sotme Kryesia ka vendosur t'ia dërgojë Qeverisë për mendim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (nismë e deputetit Ramë Vataj ) si dhe Projektligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë ( i propozuar nga deputetja Alma Lama, me mbështetjen e deputetëve nënshkrues).

Lidhur me kërkesën tjetër të kësaj deputeteje (e mbështetur edhe nga shtatë deputetë të tjerë), për debat parlamentar lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, gjatë viteve 2010 dhe 2011, Kryesia ka vendosur të kërkojë informatë nga Qeveria , mbi bazë të së cilës do të zhvillohej debati në Kuvend. Lidhur me kërkesën e deputetit Visar Ymeri, (mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë), për debat parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, Kryesia, pos nga Qeveria, do të kërkojë informatë edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

KOMENTE