English

Edmond Panariti flet për Radio Kinën

Pyetje - Gjatë vizitës suaj në Kinë, Pekini ishte ndalesa juaj e parë dhe pikërisht ky qytet është dhe qyteti binjak i Tiranës, ku ju keni punuar më përpara si nënkryetar i Bashkisë.Çfarë përshtypje u ka lënë Pekini?

Ministri i Jashtëm z. Panariti- Në radhë të parë më lejoni t’ju falënderoj për mundësinë që juve më krijuat për t’u shprehur nëpërmjet kësaj interviste në stacionin tuaj. E vlerësoj shumë mundësinë që m’u dha për të vizituar Pekinin me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës. Marrëdhëniet me Kinën, me Pekinin, datojnë më përpara se kësaj ftese. Në kapacitetin tim si zëvendëskryetar i Bashkisë, unë kam pasur rastin që të pres në Bashkinë e Tiranës personalitete shumë të larta të Republikës Popullore të Kinës, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy qyteteve tona, atij të Tiranës dhe atij të Pekinit. Këto delegacione kanë qenë të shoqëruar edhe me përfaqësues nga bota e biznesit dhe investitorë të rëndësishëm kinezë. Mund të themi që tashmë ne po korrim frytet e para të këtij bashkëpunimi. Zoti Basha, ishte në fund të muajit qershor në Pekin i ftuar si një pjesëmarrës i një forumi të bashkiakëve të vendeve të ndryshme të botës. Kjo vizitë shërbeu edhe për konkretizimin të disa projekteve për të cilat është rënë dakord në vizitat që pati delegacioni kinez në bashkinë e Tiranës. Investimet kineze do të jenë prezentë tashmë në qytetin e Tiranës. Po shikohet me seriozitet mundësia për ndërtimin e linjës së tramvajit të Tiranës me investitorë kinezë dhe në shator pritet që një grup ekspertësh të vijë për të bërë një studim të fizibilitetit. Kjo është shumë inkurajuese për forcimin e bashkëpunimit midis dy qyteteve tona, midis dy kryeqytete tona, është një model bashkëpunimi ekonomik të suksesshëm që Kina do të ketë me Shqipërinë në të gjitha fushat.


Pyetje - Në prill të këtij viti kryeministri kinez u takua në Varshavë me liderë të 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore dhe atje ai prezantoi 12 masa konkrete për të nxitur bashkëpunimin midis Kinës dhe këtyre vendeve përfshirë edhe Shqipërinë. Si e komentoni ju këtë sistem bashkëpunimi dhe në çfarë fushash është më shumë e interesuar Shqipëria?


Ministri i Jashtëm z. Panariti - E vlerësoj shumë faktin që Republika Popullore e Kinës në 12 prioritetet e saj për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ka përfshirë edhe Shqipërinë. Ne po studiojmë me shumë vëmendje paketën e këtyre masave duke u munduar që të integrojmë të gjitha projektet tona të zhvillimit brenda paketës së masave të propozuara nga kryeministri kinez në takimin e Varshavës. Ekzistojnë shumë hapësira për investitorët kinezë në bashkëpunim me investitorët shqiptarë për të investiguar mundësitë se si ky fond që vihet bujarisht në dispozicion nga qeveria kineze mund të integrohet në zhvillimin e projekteve në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy linjat kryesore të investimit. Linja e 500 milionë dollarë dhe linja tjetër e kreditimeve me interesa të ulëta që është e një shumë më e madhe sesa shuma e mëparshme. Ne po shikojmë mundësinë e hartimit të projekteve konkrete për të bërë të mundur që të përfitojmë nga këto dy linja financimi. Një nga arsyet e mia të vizitës sime në Kinë me ftesë të homologut tim, ka qenë për të diskutuar edhe bashkëpunimin ekonomik midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë në kuadrin e 12 masave të propozuara nga qeveria kineze.

Pyetje - Gjatë këtyre viteve të fundit marrëdhëniet shqiptaro-kineze kanë përparuar në mënyrë të dukshme. Si mund të shtohet edhe më tej bashkëpunimi ekzistues me Kinën, nën drejtimin tuaj si Ministër i Jashtëm?

Ministri i Jashtëm z. Panariti - Marrëdhëniet midis dy vendeve janë marrëdhënie të shkëlqyera. Unë jam i bindur që ato do të shërbejnë edhe si një model për t’u ndjekur dhe nga të gjithë vendet e rajonit. Ekzistojnë pa dyshim hapësira të reja për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Pikërisht për këto hapësira ne diskutuam me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në takimet bilaterale. Ramë dakord që ekzistojnë hapësira bashkëpunimi në fushat e energjetikës, infrastrukturës, minierave, parqeve industriale, hekurudhave. Investitorët kineze janë të mirëpritur dhe qeveria shqiptare angazhohet për tu krijuar të gjitha lehtësirat fiskale dhe të gjitha lehtësirat e tjera në mënyrë që investimet në këto fusha të rëndësishme për ekonominë shqiptare të jenë të pranishme.

Pyetje - Cili është angazhimi që ka diplomacia shqiptare për të nxitur investitorët kinezë në Shqipëri?

Ministri i Jashtëm z. Panariti - Shqipëria po punon shumë në drejtim të diplomacisë publike, në krijimin e klimës së përshtatshme dhe stimulimin e iniciativave të investitorëve privatë. Ne po krijojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale, kanalet diplomatike që do të bënin të mundur që investitorët kinezë, financat kineze të jenë gjithmonë e më të pranishme në tregun shqiptar, në ekonominë shqiptare, sepse unë mendoj që marrëdhëniet midis dy vendeve janë të konsoliduar nëpër vite. Ato mbështeten në baza tradicionale të miqësisë. Populli shqiptar kujton dhe sot e ka akoma parasysh që një pjesë e madhe e ekonomisë së vendit ende vazhdon të operojë me teknologji kineze duke filluar që nga baza energjetike e vendit, hidrocentralet e ndërtuara me teknologji kineze. Sot e kësaj dite funksionojnë për mrekulli me cilësi. Kjo është edhe një tregues i qëndrueshmërisë, i cilësisë së teknologjisë kineze, prandaj ekzistojnë të gjitha mundësitë e gjithë klima e përshtatshme që teknologjia dhe investitorët kinezë të marrin përsipër investimet e rëndësishme në ekonominë dhe infrastrukturën shqiptare.

Pyetje - Radio Kina përpara 40 vjetëve ka hapur në seksionin e gjuhëve të huaja emisionin në gjuhën shqipe. Radio Kina transmeton në 601 gjuhë të botës. Ky departament ka botuar kohët e fundit edhe revistën “Ejani”, botim i cili do të botohet së shpejti edhe në gjuhën shqipe. Kjo revistë i kushtohet mbrojtjes së mjedisit, krijimit të kushteve të nevojshme për rritjen e fëmijëve. Pra, kjo është një çështje sociale dhe për të gjithë qytetarët. Shoqëria civile duhet të mbajë përgjegjësitë e duhura për këtë. Ju si një funksionar i lartë i elitës shqiptare, a mund të na shkruani disa fjalë për revistën tonë, për të bërë një thirrje që t’i kushtohet më shumë rëndësi mjedisit?

Ministri i Jashtëm Panariti - Me shumë kënaqësi. Në radhë të parë më lejoni t’ju përgëzoj për jubileun e 40-të të aktivitetit tuaj shumë dobiprurës, shumë domethënës shumë kontribuues në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Ju falënderoj që edhe më informuat për gazetën tuaj. Mua do të më keni bashkëpunëtor të rregullt dhe do të jem shumë i privilegjuar për të kontribuar edhe me intervista, artikuj, sepse e konsideroj platformën tuaj të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë, mjedisin e familjes si shumë thelbësore për zhvillimin e një shoqërie harmonike në Shqipëri.

KOMENTE