English

Edmond Panariti pritet nga homologu i tij australian

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Australi, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, u prit nga Ministri i jashtëm Australian, Senatori Bob Carr. Të dy ministrat e konsideruan këtë vizitë historike, duke qenë se është e para e një anëtari të qeverisë shqiptare që realizohet në Australi. Ata vlerësuan se shtimi i kontakteve politike mes dy vendeve janë një tregues i vullnetit për forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella në të gjitha fushat. Ministri Panariti theksoi se politika e jashtme e qeverisë shqiptare nuk është e kufizuar vetëm në çështjet rajonale dhe evropiane, por ajo ka si objektiv forcimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e botës, ku Australia, pavarësisht largësisë gjeografike, konsiderohet si një vend me të cilin ekziston një potencial i gjerë bashkëpunimi politik dhe ekonomik. Z. Panariti e konsideroi komunitetin shqiptar në Australi një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.

Në vijim të takimit, Ministri Panariti u ndal në zhvilllimet e brendshme në Shqipëri dhe në sfidat me të cilat përballet qeveria dhe politika shqiptare në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, Ministri Panariti e informoi homologun australian lidhur me stabilitetin e ekonomisë shqiptare dhe mundësitë që ajo ofron për investitorët e huaj, si dhe shkëmbimet tregtare. Ai i konsideroi sektorët e energjitikës, minierave, infrastrukturës dhe turizmit, si fusha me interes për bashkëpunim mes dy vendeve dhe me këtë rast e ftoi komunitetin Australian të biznesit që të investojë në këta sektorë të ekonomisë shqiptare dhe të marrë pjesë në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore.

Gjithashtu, Ministri Panariti bëri një pasqyrë të zhvillimeve rajonale dhe rolit të Shqipërisë si faktor nxitës i proceseve integruese rajonale në planin politik, ekonomik, social dhe në fusha të tjera. Ai vlerësoi rolin pozitiv që ka luajtur Australia në njohjen e Shtetit të Kosovës dhe kërkoi lobimin e diplomacisë australiane te vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Nga ana e tij, Ministri Carr, vlerësoi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit dhe reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ai vlerësoi, gjithashtu, rolin që luan Shqipëria si faktor stabiliteti rajonal. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, ai theksoi vullnetin e qeverisë për të zgjeruar projektet dhe investimet australiane në shumë sektorë të ekonomisë shqiptare si dhe për të nxitur fluksin e shkëmbimeve tregtare.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan angazhimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n dhe OSBE-në. Ministri Carr përshëndeti kontributin që ka dhënë dhe jep Shqipëria në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në zona të veçanta të globit si në Afganistan etj. Gjithashtu, ai vlerësoi Presidencën shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, duke vënë në dukje se Australia i bashkohet objektivit të kësaj presidence për nxitjen e mbrojtjes së të drejtavë të njeriut dhe të shtetit të së drejtës. Në përfundim, ai e uroi Ministrin Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

KOMENTE