Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë nënshkruar dje një urdhër të përbashkët (nr.125, datë 23.08.2012):
“Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilët janë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të abuzimit ndaj tyre”.
Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës dhe të Ligjit Nr.10347, datë 4.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe VKM NR 265, datë 12.04.2012 “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit te tij” të dy institucionet urdhërojnë:
1. Çdo fëmijë, që gjendet në situatë emergjente, të merret në mbrojtje të menjëhershme nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Shërbimin Social Shtetëror, edhe jashtë orarit zyrtar të punës.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, me anë të strukturave të tyre në varësi, të identifikojnë në terren të gjitha rastet e fëmijëve në rrezik.
3. Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror që me anë të strukturave të saj, t’u ofrojë shërbimet e përkujdesjes sociale, fëmijëve të referuar nga Policia e Shtetit konform Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 425, datë 27.06.2012 “Për zbatimin e kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror”, pika 3 germa “ç”, në rastet e emergjencës.
4. Të gjitha rastet emergjente të fëmijëve në rrezik, të identifikuara nga Policia e Shtetit, në çdo rast, në bashkëpunim me punonjësit socialë të zyrave rajonale të shërbimeve sociale dhe Shërbimit Social Shtetëror, i referojnë në Njësinë për të drejtat e fëmijës në nivel qarku dhe në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkie/komune, ku janë të ngritura aktualisht.
5. Komitetin Drejtues për bashkërendimin e punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse, të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Qarkut, që të procedojë me referimin e këtyre rasteve para organeve të drejtësisë, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së interesit me të lartë të fëmijës.
6. Kohë-qëndrimi i fëmijëve të sistemuar në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror, të referuar në njësinë për të drejtat e fëmijes në nivel qarku dhe në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkie /komune, do të jetë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet e drejtësisë.
7. Ky urdhër hyn në fuqi me nënshkrimin e tij.