Ministria e Drejtësisë, në mbështetje të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar ka filluar procedimin disiplinor për 5 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë për shkelje të rënda procedurale në çështjet civile. 1 prej tyre ushtron veprimtarinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, 3 gjyqtarë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe 1 gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.
Këto procedime bazohen në rezultatet e 2 inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Inspektimet janë zhvilluar për verifikimin e çështjeve gjyqësore me të paditur apo person të tretë Bankat e Nivelit të Dytë, ku gjyqtarët e proceduar kanë pezulluar ekzekutimin e kredive të këqija, me pasojë dëmtimin e rëndë të sistemit bankar. Shkeljet e ligjit të kryera nga gjyqtarët kanë favorizuar debitorët e bankave të nivelit të dytë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur të vijojë veprimtarinë e saj inspektuese pranë gjykatave dhe agjencive ligjzbatuese me qëllim evidentimin e rasteve të devijimit të ligjit, rivendosjen e drejtësisë dhe parandalimin e shkeljeve të ligjit në të ardhmen.
Në këtë mënyrë realizohet mbrojtja e dinjitetit, e të drejtave dhee lirive themelore të njeriut, mbrojtja e interesit publik, si dhe e interesave të ligjshëm të personave fizikë dhe juridikë.
Ministria e Drejtësisë, falenderon ankuesit për bashkëpunimin e tyre nëpërmjet ankesave drejtuar asaj për çdo rast të devijimit të drejtësisë nga ana e sistemit të drejtësisë.