Mali i zi, kjo perlë e Ballkanit e cila vazhdon edhe me bregdetin shqiptar po bëhet gjithmonë e më shumë qendër e vëmendjes edhe të njerëzve më të pasur të botës për të kaluar pushimet.
Por pse pikërisht vallë Mali i zi është tepër i populluar gjatë verës dhe gjithmonë e më shumë në qendër të vëmendjes?
Mali i Zi po kthehet me shpejtësi në mekën e turizmit për disa nga njerëzit më të pasur në botë. Turistë të pasur në kërkim të deteve të kaltër dhe akomodimeve luksoze po vijnë tani me shumicë në këtë perlë të Adriatikut.
Porto Montenegro është një fshat i ri turistik që e ka ngritur Malin e Zi, këtë shtet të vogël ballkanik, nga një destinacion i parapëlqyer për turistët e zakonshëm rusë dhe serbë në një magnet për disa nga njerëzit më të pasur të botës.
Ai ka një pishinë të madhe me pamje nga Adriatiku i kaltër dhe majat e maleve shkëmbore. Fshati turistik ka shtëpi luksoze të stilit venecian, dyqane të firmave më të njohura si dhe një hapësirë të gjerë ku mund të hedhin spirancën disa nga jahtet më të mirë të botës.
Ky ka qenë dikur një port për anijet jugosllave dhe sovjetike. Një vit më parë Porto Montenegro u transformua, falë idesë së miliarderit kanadez Peter Munk.
Ai donte të investonte në një vend me më pak njerëz por që t’i ngjante një plazhi të Rivierës franceze në një territor relativisht të panjohur.
Matt Morley është menaxher në Porto Montenegro:
"Ne vizitohemi nga turistë të ndryshëm. Sigurisht, fjala është për njerëz super të pasur. Një nga gjërat që ne ofrojmë është privatësia, më e madhe se në shumë plazhe të tjera si, në jugun e Francës apo në Sardenjë, për shembull."
Banorëve të këtushëm u pëlqen të krenohen me skenat e filmit të vitit 2006 Casino Royale me James Bondin, që tregojnë një vend të vogël dhe të varfër ballkanik me trenat modernë dhe infrastruktura të përsosura.
Por ato skena nuk u xhiruan në Mal të Zi dhe ky vend i përshkruar shpesh si perlë e Adriatikut ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.
Për shembull, nga avioni, peisazhi i Malit të Zi duket mjaft mbresëlënës, por ku turistët zbresin në tokë për të shkuar në Porto Montenegro atyre u duhet të kalojnë nëpër rrugë të ngushta ku mund të vësh re hotele të vjetër të epokës komuniste që nuk shkojnë fare me bukuritë e rralla natyrore.
Gjithashtu, plazhet mbipopullohen gjatë pikut të sezonit veror, në korrik dhe gusht.
Por nëse kërkoni privatësi, me pak më shumë para mund të qëndrosh në Sveti Stefan, një gadishull i vogël me shtëpi të bardha i kthyer nga një fshat peshkimi në një kompleks hotelesh luksozë në vitet 60.
Pas kësaj vjen Budva, qendra më e madhe turistike e Malit të Zi, me rrugicat e saj të ngushta dhe antike.
Disa nga restorantet më të mira të Malit të Zi që ofrojnë ushqime tradicionale janë pikërisht në Budva dhe në fshatin fqinj Bigovo.
Që kur u nda nga Serbia në vitin 2006, Mali i Zi ka përjetuar një rritje në vlerë të pasurive të patundshme. Kryesisht britanikët dhe rusët kanë investuar në hotele dhe vendpushime të reja turistike