Gjatë ditës së djeshme helikopteri i vënë në dispozicion nga Republika Turke, operoi në Lurë dhe në lartësinë e Priskës, duke kryer 24 operacione në këto zona. Gjatë ditës së sotme ai do të vijojë operacionet bazuar në planin operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civlie, të miratur nga Ministri i Brendshëm Flamur Noka.
Paralelisht, në terren kanë vepruar me intensitet të plotë forca të PMNZSH-së, të Forcave të Armatosura dhe atij të Shërbimit Pyjor, me mjete zjarrfikëse dhe të rënda, në të gjitha ato zona ku ka qenë e mundur të operohet nga toka. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë në mjaft raste edhe komunitetet në zonat e prekura nga zjarri.
Ndërkohë që situata e vatrave të zjarrit në të gjithë terriotrin e vendit, gjatë ditës së djeshme 26 gusht 2012, bazuar në informacionet e sjella në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, paraqitet si më poshtë vijon:
Në të gjithë territorin e vendit, pas ndërhyrjeve të suksesshme nga ajri dhe toka u arrit një reduktim i ndjeshëm i vatrave të zjarrit, të cilat tani janë vetëm 28.
Qarku Dibër: Ka 4 vatra aktive zjarri. Në ekonominë pyjore “Lura 1”, si dhe ekonominë pyjore Kacni, në fshatin Dragu, komuna Fush Bulqizë dhe në Krastë, të komunës Martanesh.
Qarku Elbasan: Ka 1 vatër aktive në rrethin e Librazhdit, në fshatin Letëm, komuna Lunik.
Qarku Kukës: Ka 6 vatra aktive. 2 në rrethin e Kukësit, fshati Tërthore, komuna Tërthore dhe në komunën e Surrojit. 4 vatra aktive mbeten në rrethin e Tropojës. Në fshatin Geg – Hysen, komuna Fierzë, në Dobrej, Komuna Bytyç, në fshatin Nikaj-Mërtur, komuna Lekbibaj dhe në Valbonë, të komunës Margegaj.
Qarku Korçë: Ka 1 vatër zjarri aktive, në Bozdovec.
Qarku Lezhë: Ka 2 vatra aktive zjarri. Vatra në fshatin Malaj, bashkia Rreshen dhe në fshatin Gallatë.
Qarku Shkodër: Ka 11 vatra aktive zjarri. Në rrethin Shkodër janë aktive dy vatra zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë dhe në fshatin Plan, komuna Pult. Në rrethin Pukë janë aktive 8 vatra zjarri, por më problematikë janë në fshatin Orosh, të komunës Qafë Mali dhe vatra në pyllin me pisha në fshatin Flet, komuna Blerim. Zjarre në vazhdim janë: në Malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe sot ka vetëm një vatër zjarri në fshatin Shkrelë, vatër e shfaqur gjatë ditës së djeshme.
Qarku Tiranë: Ka 2 raste zjarri aktive. Në Qafën e Krrabës, në km 29, ku përtej forcave të PMNZSH-së, FA-ve dhe atij pyjor, firma që kryen punimet në tunelin e Krrabës, ofroi ndihmë të çmuar me mjete të rënda dhe zjarrfikëse. Në mëngjesin e sotëm u riaktivizua vatra e zjarrit në lartësinë e Priskës. Vatra është në distancë të konsiderueshme nga Parku Kombëtar i Dajtit dhe nuk përbën asnjë rrezik për të.
Qarku Durrës: Ka 1 vatër aktive në rrethin e Krujës, në Qafë Shtamë.
Qarku Berat: Nuk ka vatra zjarri.
Qakrku Vlorë: Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Fier: Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Gjirokastër: Nuk ka vatra zjarri.