English

Kryeministri Berisha takim me investitorët grekë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup investitorësh të kompanisë greke DEMCO, të kryesuar nga presidenti i saj zoti Dimitri Contominas, e cila vepron si operuese dhe financuese në shumë fusha, më kryesoret përmenden energjia, miniera, infrastruktura dhe media.

Gjatë këtij takimi, Zoti Contominas i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet dhe simpatinë për zhvillimet e mëdha ekonomike te Shqipërisë dhe ndryshimet e shpejta të gjithanshme të ndodhura në Shqipëri. Reformat e ndërmarra nga ju – u shpreh zoti Contominas, kanë dhënë rezultate në krijimin e një klime ftuese dhe shumë të përshtatshme investimi. Është pikërisht kjo - vijoi më tej ai, që e bëri grupin tim të drejtojë vëmendjen dhe të vendosë për të zhvilluar projekte në Shqipëri.

Një ndër fushat e rëndësishme ku grupi DEMCO mendon të investojë është fusha e transportit dhe konkretisht portet. Presidenti Contominas veçoi konkretisht portin e Vlorës, për të cilin u shpreh se është një projekt me rëndësi strategjike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, zoti Contominas u shpreh se fusha e energjisë së rinovueshme është shumë tërheqëse dhe e përshtatshme për portofolin e investimeve te kësaj kompanie.

Zoti Contominas u shpreh ndër të tjera se nga zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe nga studimet dhe vlerësimet e kompanive konsulentë ndërkombëtare, kompanisë DEMCO i është tërhequr vëmendja dhe po studion mundësinë e investimit në fushën e minierave. “Sjellja e ekonomisë suaj dhe rezultat e arritura na kanë bërë të drejtohemi për të zhvilluar projektet tona në këto fusha të rëndësishme”- tha ai. Zoti Contomanis vuri në dukje se edhe situata jo e favorshme në Greqi ka bërë që bizneset greke te hulumtojnë dhe gjejnë vende dhe fusha të reja investimesh.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e prezantoi grupin me reformat konkrete te ndërmarra nga qeveria në ekonominë shqiptare dhe u ndal ne veçanti në fushat me interes dhe për kompaninë DEMCO. Kryeministri bëri një ekspoze të rezultateve të arritura në fushën e infrastrukturës, minierave dhe sidomos në atë të energjisë, ku projektet në zbatim nga kompani të mëdha ndërkombëtare dhe vendase rriten nga dita në ditë. Kryeministri u shpreh se energjia e rinovueshme, zhvillimi i qëndrueshëm dhe i gjelbër, duke qenë në fokus të reformave të ndërmarra gjatë dy mandateve qeverisëse, kanë bërë që numri i projekteve e hidrike të realizuara me sukses në këto 5 vitet e fundit të arrijë në 72 dhe të vazhdojë puna në 50 projekte të tjera.

Në këtë kontekst, Kryeministri vuri në dukje se interesi i investitorëve të huaj për këtë fushë dhe fusha të tjera është në rritje dhe propozime vazhdojnë të paraqiten në strukturat përkatëse.

Më tej, Kryeministri Berisha e garantoi grupin DEMCO që projektet e tyre do të gjejnë mbështetjen e plotë të gjithanshme institucionale dhe ligjore të qeverisë së tij dhe bashkëpunimi për suksesin e tyre do të jetë i vazhdueshëm dhe i garantuar si me dhjetëra e qindra projekte të tjera investimesh të huaja tashmë vepruese në Shqipëri.

KOMENTE