Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti dha një konferencë për shtyp ditën e sotme, pas kthimit nga një tur vizitash zyrtare në Kinë dhe Australi. Ministri Panariti foli për takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë në Kinë e Australi, si dhe iu përgjigj interesimit të gazetarëve për çështje të diskutuara në media kohët e fundit.
Më poshtë teksti i plotë i konferencës së shtypit të Z. Panariti.
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Jam në këtë komunikim me ju për t’ju informuar për rezultatet e vizitave të mia të fundit në Republikën Popullore të Kinës, si edhe në Australi. Vizitat qenë shumë të sukseshme. Në Republikën Popullore të Kinës pata rastin të takoj personalitetet më të larta të vendit, përkatësisht Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës dhe Ministrin e Jashtëm. Në thelb të diskutimeve me autoritetet e larta kineze ishte bashkëpunimi politik midis dy vendeve dhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik. U shpreh angazhimi nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm se Qeveria kineze do të inkurajojë sipërmarrjet kineze që të investojnë në sektorët ekzistues ekonomikë dhe teknologjikë së Shqipërisë, si në porte, në infrastrukturë në rrjetin hekurudhor dhe në hidrocentrale.
Qeveria kineze u shpreh e gatshme që në bashkëpunim me autoritetet dhe sipërmarrjet shqiptare në vitet e ardhshme të investojë në krijimin e një parku të ri industrial në rajonin e Durrësit, përkatësisht në Spitallë. U shpreh vullneti nga qeveria kineze që të shikojë me përparësi aplikimin e qeverisë shqiptare për të përfituar nga fondi i investimeve kineze prej 500 milionë dollarëve dhe, njëkohësisht, të krijojë kushte që ekonomia shqiptare të përfitojë nga linja e posaçme e kreditimit prej 10 miliardë dollarë të trajtën e huave koncensionare për të financuar projekte të rëndësishme në fushën e infrastrukturës, të teknologjive të reja dhe ato të energjive të rinovueshme.
Përparësi të veçantë do të marrin investimet kineze, investime që do të kryen në rrjetin hekurudhor shqiptar për ta lidhur atë në mënyrë të efektshme me rrjetin hekurudhor ballkanik dhe të Europës qendrore. M’u konfirmua se së shpejti do të zhvillohet një vizitë në vendin tonë nga një mision tregtarësh dhe investitorësh kinezë që do të bashkëpunojnë me palën tonë në fushën e tregtisë dhe të bashkëpunimit ekonomik. Diskutuam edhe propozime të tjera që kanë të bëjnë edhe me bashkëpunimin akademik dhe kulturor. Shqipëria do të jetë përfituese e fondit vjetor prej dy million juanësh për rajonin për të mbështetur bashkëpunimin kërkimor- shkencor, si edhe shkëmbimin e ekspertëve midis dy vendeve tona.
Po kështu Shqipëria do të përfitojë me përparësi çdo vit bursa studimore për studentë dhe qeveria kineze do të bashkëpunojë me Qeverinë shqiptare edhe për të mbështetur financiarisht krijimin e institucioneve për promovimin e kulturës dhe qytetërimit kinez. Njëkohësisht ,qeveria kineze është e gatshme të ofrojë bursa për shumë studentë shqiptarë për të studiuar gjuhën kineze pranë universiteteve të Republikës Popullore të Kinës.
Qeveria kineze më konfirmoi se do të shikojë me përparësi dhe me shumë seriozitet vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë fluturimi midis Pekinit dhe Tiranës për të mbështetur këtë aktivitet gjithmonë e në rritje të shkëmbimeve kulturore, ekonomike, por edhe në fushën e turizmit.
Vizita ime në Australi mund të konsiderohet si një vizitë me përmasa historike, pasi është vizita e parë e një personaliteti të lartë të Republikës së Shqipërisë në Australi. Pata rastin të pritem nga personalitetet më të larta të vendit nga Presidenti i Senatit, Presidenti i Dhomës së Ulët, Ministri i Jashtëm, zëvendëskryetarja e opozitës, Ministri i Kulturës dhe i Çështjeve Komunitare, me të cilët diskutuam për shumë çështje të bashkëpunimit, duke filluar nga nxitja e dialogut politik, shkëmbimi midis grupeve parlamentare të dy vendeve dhe njëkohësisht diskutuam edhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, ku autoritetet vendase u shprehën të gatshme të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të minierave. Diskutuam gjithashtu edhe për bashkëpunimin në fushën e akademisë, të universiteteve, veçanërisht në fushën e bujqësisë. Njëkohësisht, pata rastin dhe privilegjin të takohem me diasporën shqiptare të Australisë, me të cilët patëm një diskutim, shkëmbime mendimesh të hapura e të drejtpërdrejta. Ata po përgatiten për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë së vendit dhe në kontaktin që unë pata me Ministrin e Kulturës dhe Çështjeve Komunitare, m’u premtua që ai do ta mbështesë financiarisht këtë aktivitet shumë të rëndësishëm të organizimit të 100 Vjetorit të shpalljes së pavarësisë, që do të bëhet në sheshin qendror në Melburn. Aty pritet që edhe autoritetet më të larta të vendit të përshëndesin komunitetin shqiptar dhe komunitetet e tjera që do të jenë të pranishme në këtë ngjarje.
Faleminderit. Tani jam i hapur për pyetjet tuaja.
Pyetje - Z. Panariti, në një konferncë për shtyp më 14 gusht keni deklaruar se grupet e punës janë duke punuar dhe në momentet që do të keni rezultate konkrete do t’i bëni publike ato. Ndërkohë Kryeministri ka dalë në një konferencë dhe u shpreh se, nuk ka patur asnjë grup pune, asnjë marrëveshje për t’u negocuar me palën greke. Mund të na thoni se cila është e vërteta? Ka grup pune apo nuk ka grup pune?
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Me lejoni që të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Në radhë të parë, nuk ka asnjë negociatë, nuk ka negociatorë dhe nuk ka grupe pune për negociatat me Greqinë, përsa i përket marrëveshjes ujore detare me këtë vend. Natyrisht është normale që brenda institucionit të ketë një trajtesë teknike dhe në këtë kuptim është mëse normale që Ministria e Punëve të Jashtme të merret me këtë çështje, si dhe me shumë çështje të tjera të rajonit apo të përmasave globale. Nëse neve do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen me autoritete greke për çështjen e kufijve ujorë do ta bëjmë këtë gjithmonë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në respekt të kushtetutës së vendit, në respekt të ligjeve ndërkombëtare.
Pyetje - Në lidhje me ndalimin e gazetarit Marin Mema në kufi, a keni ndonjë informacion të mëtejshëm se cili është reagimi i palës greke për këtë çështje dhe cilat janë hapat e mëtejshëm që do të marrë Ministria juaj?
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur me gazetarin e nderuar të televizionit Top Channel. Menjëherë MPJ ka reaguar. Kemi kontaktuar autotritetet greke për t’u bërë të ditur që ne presim sqarime për arsyet e ndalesës së gazetarit. Jemi në pritje të këtyre sqarimeve dhe më pas do të ndërmarrim edhe hapat respektive në funksion të përgjigjeve nga ambasada greke.
Pyetje - Është folur shumë për ngritjen e grupeve të punës për çështjen e marrëveshjes së ujrave, ndërkohë që ka shumë deklarata kontradiktore për këtë çështje, a mund të na sqaroni çështjen e ngritjes së këtyre grupeve?
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Është mëse normale që të ketë një trajtesë të brendshme të këtij problemi nga Ministria e Jashtme. Në rast se nuk merret Ministria e Jashtme kush do të merret? Pra, ëshë mëse normale në logjikën e gjërave që Ministria e Jashtme, sikundër dhe për shumë probeleme të tjera që ka në rajon, të trajtojë dhe të jetë e përgatitur për të prodhuar opsione për trajtimin e çdo problemi kur neve do të na duhet të ulemi me palën greke për të diskutuar, për të debatuar rreth kësaj çështjeje.
Pyetje - MPJ do të jetë transparente?
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Ministria e Jashtme do të jetë transparente në çdo hap që ajo do të bëj në raport me marrëveshjen për ujrat me Greqinë, si dhe për çdo problem tjetër. Madje ne ftojmë që pjesë e këtij diskutimi të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ne jemi të gatshëm në çdo moment që të japim informacione të detajura në të gjitha nivelet, duke respektuar rigorozisht hierarkinë isntitucionale të shtetit.
Pyetje - Kur do fillojnë negociatat me palën greke? Dhe një pyetje tjetër, prej shumë vjetësh Ministri i Jashtëm nuk ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, përse ju jeni ftuar pikërisht tani që jeni në këtë post, në këtë moment në një vizitë zyrtare në Athninë? A keni një koment për këtë?
Ministri i Jashtëm, z. Edmond Panariti - Negociatat për marrëveshjen ujore do të fillojnë kur ne të jemi gati nga ana teknike për këtë çështje dhe kur kjo të gjykohet oportune dhe në interesin tonë kombëtar. Përsa i përket vizitës në Greqi, kam një ftesë nga homologu im grek, të cilën e pranova me shumë kënaqësi. Dhe pikërisht ne e zhvillojmë këtë vizitë për t’u dhënë një hov të ri marrëdhënieve të mira midis Republikës së Shqipërisë dhe Greqisë dhe presim që të ketë zhvillime pozitive.