English

Berisha: sistemi i ri i inspektimit vendos një barrierë ndaj abuzimeve dhe korrupsionit

Sistemi i ri i inspektimit do të reduktojë numrin e inspektoriateve në vend, duke lenë vetëm 1/3 e atyre ekzistues.

Procesi i inspektimit për biznesin do të shkurtohet nga 45 ditë në 12 ditë.

Sistemi i ri i inspektimit rrit transparencën dhe lufton abuzimet në vendin e inspektimit.

Në drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Task-Forcës për reformën e inspektoriateve, për të cilën kryeministri bëri të ditur se ndodhet në fazën e kurorëzimit ligjor të saj.

Duke e vlerësuar këtë reformë si një prej reformave më themelore dhe më të shumëpriturën për biznesin e vendit, kryeministri Berisha u shpreh se ajo hap një kapitull të ri në përpjekjet e maxhorancës për një klimë sa më miqësore dhe të favorshme kundrejt biznesit dhe mbi të gjitha për një konkurrueshmëri të lirë dhe të hapur.

Kryeministri bëri me dije se reforma kompletohet me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet, me miratimin e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas miratimin në parlament të ligjit.

Kryeministri theksoi se reforma i jep vendit një nga format më të studiuara dhe më të suksesshme të inspektimit, duke reduktuar ndjeshëm numrin e inspektoriateve ekzistuese dhe duke lenë vetëm 1/3 e numrit të tyre. Gjithashtu, mbi bazën e akteve ligjore e nënligjore, si dhe të sistemit të ri do të shkurtohet procedura e inspektimit nga 45 ditë që është aktualisht në 12 ditë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën burokratike mbi biznesin.

Kryeministri tha se sistemi i ri i inspektimit do të vendosë një barrierë të fuqishme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke rritur transparencën, nëpërmjet ndjekjes në kohë reale të gjurmës së inspektorit, në vendin e inspektimit. “Gjurma e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet.”, shpjegoi kryeministri.

Kryeministri falënderoi me mirënjohje të gjithë hallkat institucionale që bashkëpunuan për kompletimin e reformës, duke shprehur besimin se miratimi i ligjit dhe i akteve nënligjore të përgatitura do të zbatohen me vendosmëri dhe se në një kohë shumë të afërt Shqipëria do të ketë të instaluar sistemin e ri të inspektoriateve.

KOMENTE