Prej ditësh Ministria e Brendshme, strukturat e saj, së bashku me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mjedisit janë angazhuar në përballimin e situatës së zjarrvënieve në të gjithë territorin e vendit. Në shumicën dërrmuese të rasteve, vatrat e zjarrit janë shkaktuar nga dora e njeriut dhe aktualisht 55 autorë të dyshuar janë kapur dhe dërguar para organeve të hetimit dhe drejtësisë.
Masat e marra dhe angazhimi i strukturave, të cilat prej ditësh punojnë pa pushim, ditën edhe natën, kanë mundur të mbajnë nën kontroll situatën, duke mundësuar kështu shmangien e situatës së emergjencave civile. Operacionaliteti dhe efikasiteti i masave paraprake, si edhe masave të marra sapo janë shfaqur vatrat e zjarrit, kanë bërë të mundur që nga mbi 300 vatra zjarri të shfaqura në total, secila prej tyre është lokalizuar që në momentin e parë, izoluar dhe shuar.
Sot, në gjithë territorin e vendit numërohen vetëm 33 vatra aktive zjarri, të cilat jo vetëm janë nën kontroll të plotë, por vijon puna me operacione nga ajri dhe toka për fikjen plotë të tyre. Edhe ky numër vatrash vjen vetëm prej faktit se shumica prej tyre ndodhen në lartësi të mëdha, në zona shumë të thepisuara malore, në veri dhe verilindje të vendit, ku ndërhyrja me mjete zjarrfikëse dhe forca nga terreni ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pamundur.
E ndërsa vendet fqinje, por edhe vende të tjera europiane janë përfshirë nga situata dramatike zjarresh, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima, në Shqipëri nuk ka patur deri më sot asnjë dëm në pasuritë e qytetarëve dhe për më tepër nuk kemi asnjë humbje në jetë njerëzore. Gjatë këtij viti, në raport me një vit më parë, jemi në një situatë 30 për qind më të lehtë.
Në mënyrë të përditshme Ministria e Brendshme ka bërë publike me transparencë të plotë të gjithë situatën e krijuar në gjithë territorin e vendit, masat e marra për izolimin e shuarjen e vatrave të zjarrit, si edhe të forcave dhe mjeteve të angazhuara në terren.
Të gjitha strukturat shtetërore janë angazhuar dita ditës në përballimin me sukses dhe gjakftohtësi të kësaj situate dhe për këtë, çdo banor i zonave ku janë shfaqur apo ku vijon të ketë vatra zjarri, është i ndërgjegjshëm.
Deklarimet që vijnë nga rrjetet virtuale, nuk mund të jenë veçse virtuale e pa lidhje me realitetin dhe të vërtetën që prek çdo qytetar apo përcjellin mediat.
Të bësh kritizerin nga poltrona e shtëpisë është mjaft e lehtë, por të zbresësh me këmbë në tokë, të njohësh realitetin dhe të jetosh me shqetësimin e tij është një alternativë që opozita nuk e njeh.
Do të ishte në përgjegjësinë e çdo force politike dënimi i zjarrvënieve dhe autorëve të tyre dhe jo anatemimi i institucioneve dhe efektivave, që po përballen pa pushim në terren, për të mbrojtur pasuritë publike dhe ato të çdo qytetari.