English

Vetëvendosje: Që të jemi shtet normal, duhet të kemi veriun e integruar

Lëvizja VETËVENDOSJE ka organizuar sot, një Tryezë në Mitrovicë për të diskutuar lidhur me çështjen e veriut dhe negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të partive politike opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe nga mediet.

Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Shpend Ahmeti, foli për situatën politike e veçanërisht për negociatat dhe veriun dhe rolin që duhet të marrin aktorët politik e shoqëror për ta ndalur këtë proces të negociatave. “Që të jemi shtet normal, duhet të krahasohemi me Slloveninë e Austrinë e jo me Palestinën e Bosnjën. Që të jemi shtet normal, duhet ta kemi veriun e integruar. Kjo kërkon angazhim të të gjithëve, partive politike, shoqërisë civile, mediave e gjithë qytetarëve. Koncepti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është koncept i përfshirjes së të tjerëve, i përfshirjes së të gjithëve”, u shpreh Ahmeti.

Nënkryetarja Aida Dërguti, para mitrovicasve shpalosi alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për integrimin e plotë të veriut, ku theksohet ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve, përfshihet shpallja e FSK-së ushtri, prezenca e shtuar a policisë dhe njësisë speciale në veri, ndërprerja e financimit të strukturave paralele dhe shpërbërja e tyre, revitalizimi i Trepçës, etj. Ajo shtoi se “Historia e Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh në themelim të saj në vitin 2005, lidhet ngushtë me kundërshtimin e negociatave: duke pasur pikënisje të drejtën për vetëvendosje e cila ishte përjashtuese e çfarëdolloj negociatash, që atëbotë po planifikoheshin nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo rrugë e kundërshtimit të negociatave u shtrua me shumë argumente, aksione demonstrata të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e që kulmoi me gjakun e derdhur të dy dëshmorëve, Arben Xheladinit e Mon Balajt, në një protestë paqësore kundër Pakos së Ahtisaarit në Prishtinë. Tani jemi në vitin 2012 dhe as negociatat por ama as kundërshtimi i tyre nuk kanë të ndalur. Secili raund i bisedimeve, në Kosovë ka prodhuar ndryshim faktik, për shkak të zbatimit të përpiktë nga pala shqiptare dhe nga ana tjetër, ka rezultuar me mosndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, sukseset e vazhdueshme të Serbisë me një qëndrim të tillë, vetëm sa ia kanë shtuar apetitet”.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Xhelal Sveçla, foli për aktivitetet që duhet bashkërenduar, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes të gjithëve për ta parandaluar këtë proces negociator. “Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër negociatave në parim por është kundër negociatave pa parim e pa kushte. Këto negociata çojnë në ndarjen e veriut. Ismajl Qemali ka thënë ‘fëmija që fle rritet, populli që fle vdes’. Nisur nga kjo, populli i Kosovës duhet të zgjohet nga gjumi dhe t’i kundërshtojë këto procese të dëmshme që po orkestrohen nga pushtetarët. Veriu nuk është vetëm problem i vitit 1999/2000. Ai po ndahet për shkak të pushtetarëve që kanë interes për ta mirëmbajtur këtë gjendje aktuale. Kriminelët as në jug as në veri nuk janë të pavarur. Këta të jugut janë të lidhur me qeveritarët në Prishtinë, kurse ata të veriut janë të lidhur me ata në Beograd”.

Më pas kanë folur dhe banorët e kësaj zone. Një prej tyre, Ramadan Kelmendi, foli për problemet e mëdha e të përditshme që kanë banorët e asaj pjese. Ai ndër të tjera shtoi se “veriu i Kosovës është pasuri e Kosovës për 280 vitet e ardhshme. 47 fshatra të kësaj pjese po boshatisen përditë. Pronat po shiten. Qeveria jonë shkon në bisedime, herë me “demokratin” serb, e tani edhe me nacionalistin gjakpirës. Për çka të bisedojmë me ta, për rrobat tona të trupit? Për shtëpitë dhe varret tona e të stërgjyshërve që i kemi atje? Nga këto negociata, Kosova nuk do të fitojë asgjë!”

Nysret Maxhera nga radhët e LDK-së, foli para të pranishmëve për historikun e problemit të veriut, qysh prej Marrëveshjes së Kumanovës e deri më sot. “Problemin e veriut nuk mund ta zgjidh kjo klasë aktuale politike. Qytetarin e veriut nuk e përfaqëson Bajram Rexhepi mbi xhip”.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë bashkërendimin e aktiviteteve me të gjitha subjektet politike opozitare, jashtëparlamentare e parlamentare, me organizatat, mediat dhe qytetarët në të gjithë Kosovën, për të reaguar ndaj dialogut të ardhshëm politik me Serbinë që rrezikon ndarjen e Mitrovicës dhe humbjen e veriut.

KOMENTE