Këshilli i Ministrave me dy vendime të posaçme të miratuara në mbledhjen e sotme, vendosi për kthimin e armëve të Skënderbeut në Muzeun Kombëtar me rastin e100 vjetorit, për një kohë të caktuar. “Në këtë mënyrë shqiptarët do të mund t'i vizitojnë dhe mund të mund të shohin nga afër armët e princit të tyre të përjetshëm”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se me një fond të posaçëm do të financohet ndërtimi i një Mauzoleumi për familjen mbretërore, duke respektuar në këtë mënyrë këto figura të rëndësishme për kombin shqiptar dhe duke u rikthyer atyre nderin e nëpërkëmbur nga diktatura komuniste. “Dihet se në një akt barbar Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të nënës Mbretëreshë, për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit burrin që i ndërtoi shtetin shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mauzoleu do të jetë më i madh se sa ç'ishte varri i Nënës Mbretëreshë, sepse aty do të prehen Mbreti vetë, do të prehet Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij, pra tani do të jetë një varrezë mbretërore.”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri qartësoi se përpjekja për të rivlerësuar figurat historike kombëtare, nuk do të thotë aspak se figura të tjera historike do të errësohen “Ka një keqkuptim në të gjithë përpjekjen tonë ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm të nxjerrim në shesh të vërtetat e mëdha dhe në qoftë se një figurë e baltosur në mënyrën më të pamerituar dhe e nxjerrë jashtë historisë kombëtare, hyn në histori, kjo nuk do të thotë aspak se të tjera figura errësohen. Kjo nuk do të thotë se kalohet në idealizma të pamerituara.” u shpreh kryeministri.