English

Presidentja e Kosovës i kërkon Nishanit Portin e Shëngjinit. Nishani nuk jep përgjigje

Presidenti Nishani ashtu siç ishte njoftuar rreth vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë, është pritur nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Gjatë takimit me zonjën Jahjaga presidenti Nishani është shprehur se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe “faktor paqeje” në rajon.
Por Jahjaga nuk ka harruar t'i kujtojë njëkohësisht dhe t'i përsërisë kërkesën Nishanit për marrjen me konçesion të Portit të Shëngjinit, ashtu si dhe disa vite më parë Presidenti Berisha ka garantuar si ish-kryeministrin Agim Çeku dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti Nishani nuk i është përgjigjur kësaj pyetje duke vazhduar se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Kosovën për t’u bërë pjesë e Kartës së Adriatikut.
Ndërkohë pengesa për dhënien e Portit të Shëngjinit nuk qëndron te qeveria shqiptare por te bizneset, pasi marrja në administrim nga Kosova do të thotë zhvendosje të tyre për shkak të punimeve që duhet të kryhen për përmirësimin e shërbimeve.
Disa nga veprimtaritë që spikasin në agjendën e ngjeshur të vizitës së Kreut të Shtetit shqiptar në Kosovë do të jenë takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani, si dhe takimi me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidentit të Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht Kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me Zëvendëskryeminstrin dhe Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me Zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviq.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë homazhe në vendprehjen e Presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e Presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës. Kreu i Shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës.
Në agjendën e vizitës së presidentit shqiptar në Kosovë, përveç takimeve me zyrtarë të institucioneve qendrore të shtetit, presidenti Nishani do të ketë takime edhe përfaqësues të institucioneve kulturore e arsimore si dhe me përfaqësues të bizneseve.
Në këtë kuadër, është paraparë edhe vizita në Institucionin e Arsimit Universitar AAB, që do të realizohet të premten më 31 gusht 2012, në orën 10.00.
Në vizitën e planifikuar në AAB, presidenti Nishani do të takohet me udhëheqësit e këtij institucioni arsimor, ndërsa do të mbajë një ligjëratë para studentëve të AAB-së.

KOMENTE