English

Shqipëria, superfuqi e vogël energjitike në rajon, shprehet kryeministri Berisha

Nga marsi i vitit 2007 që është dhënë kjo nismë, në Shqipëri janë ndërtuar ose rindërtuar rreth 72 HEC. Nga ajo periudhë deri më sot, në Shqipëri së shpejti inaugurohet një investim tjetër madhor prej rreth 220 milion euro investim që është HEC i Ashtës dhe që inaugurohet në gjysmën e dytë të shtatorit.

Vitin që vjen nis projekti hidroenergjitik ndër më të mëdhenjtë në Evropë, Kaskada e Devollit me rreth 1 miliard euro investim.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin” Për përcaktimin e autoritetit kontratues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Qarr” e “Kaltanj” dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese , që i jepet shoqërisë.

Duke u ndalur gjerësisht në vendimin në fjalë, kryeministri Berisha u shpreh se nisma “Shqipëria, superfuqi e vogël energjitike në rajon”, e cila u ndërmor 5 vjet më parë po rritet çdo ditë e më shumë, duke përbërë një nga sukseset më të mëdha në historinë e vendit. “Pra në një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër kapacitete energjetike 20 % më të mëdha se ato që janë ndërtuar në të gjitha kohërat më parë”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se megjithëkëtë nuk mungojnë qëndrimet e bazuara në keqdashje dhe zili, të cilat mundohen të zhvlerësojnë punën e madhe që është bërë dhe vazhdon të bëhet në interesin më të mirë të vendit. “Një nga eksponentët më kryesorë të opozitës shkruante Hidrocentralizmi i Berishës. Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marrë, ai sillte si shembull Ashtën , e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit,. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës, nuk ka fatkeqësi më të madhe.”

Kryeministri u shpreh projektet e mëdha energjitike që pritet të vihen në zbatim do të shndërrohen në një linjë të rëndësishme punësimi për qytetarët në mbarë vendin.

KOMENTE