English

"Sali Berisha ka nxjerrë kombin në shitje", shprehet deputetja Kodheli

Deputetja Mimi Kodheli ka denoncuar dje skandalin e shpenzimeve të Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe Guvernatorit Ardian Fullani i cili, ndër të tjera, rezulton të jetë guvernatori i dytë më i paguar në botë në raport me të ardhurat mesatare të popullsisë, duke deklaruar se ky është veç treguesi i fundit i përmasave që ka marrë abuzimi dhe tallja me popullin shqiptar nën qeverisjen e Sali Berishës. Pasi e akuzoi kryeministrin se ka nxjerrë vendin në shitje për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit, Kodheli përsëriti zotimin e Partisë Socialiste se pushtetarët e sotëm do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit për këto abuzime dhe se Partia Socialiste do të rishikojë të gjitha privatizimet e kryera nga qeveria Berisha.

Gjatë deklaratës së saj ajo ka theksuar:
"Guvernatori i Bankës së Shqipërisë rezulton të jetë sot guvernatori i dytë më i paguar në botë në raport me të ardhurat për frymë. Jo vetëm kaq, por në një kohë kur Banka Botërore deklaron se shumica e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, guvernatorit i duket gjëja më normale që të shpenzojë miliarda lekë për mobilimin e zyrës, për udhëtime të pafundme jashtë shtetit, apo që “punonjësit të mos marrin bukën me vete” apo për ekipin e volejbollit të punonjëseve të bankës për të cilin guvernatori na u mburr se ka zënë vendin e dytë në ballkaniadën e bankave qendrore. A thua se vetëm kjo e justifikon shpenzimin e 300 mijë dollarëve.
Asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra se çfarë përmasash ka marrë tallja që po i bën Berisha dhe pushteti i tij këtij populli. Në një kohë kur papunësia ka arritur nivele rekord, kur qindra mijëra shqiptarë nuk ia dalin më të mbyllin as muajin, kur kriminaliteti po merr përditë jetë njerëzish ndërsa Shqipëria është në flakë, kryeministri tregon përralla me rritje ekonomike.

Asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra se deri në ç’pikë po e rrjep kjo qeveri këtë popull. Sot që flasim pasuritë e shqiptarëve janë duke shteruar si pasojë e abuzimeve e korrupsionit, ekonomia shqiptare është e zhytur në borxhe deri në grykë, ndërkohë që për të mbushur gropën e zezë të financave të shtetit Berisha praktikisht e ka nxjerrë Shqipërinë në shitje.

Në 100 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, Sali Berisha ka nxjerrë kombin në shitje. Pasi fali plot qindra km katror të hapësirës ujore, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese, sot Sali Berisha parashikon të shesë plot 95 për qind të pronës publike, ku midis të tjerash përfshihen 1.2 milion metër katror toka në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi 500 objekte e asete të tjera, gjithmonë publike."

KOMENTE