English

Edi Rama në Kongresin e 24 të Internacionales Socialiste, në Afrikën e Jugut

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, mori pjesë në Kongresin e 24 zgjedhor të Internacionales Socialiste, zhvilluar në Cape Town, Afrikë e Jugut. Gjatë qëndrimit të tij në Cape Town, lideri i opozitës shqiptare zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e partisë Socialdemokrate gjermane dhe socialiste franceze.

Gjatë këtyre takimeve, Edi Rama diskutoi mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e plotë të vendeve përkatëse për procesin integrues të Shqipërisë. Një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, Kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Një temë e rëndësishme që u diskutua ishte edhe programi i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, duke u përqendruar në çështjet më delikate si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Zoti Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm.

Në kongresin e Internacionales Socialiste, u rizgjodhën në detyrën e Presidentit të Internacionales zoti Jorgo Papandreu dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm zoti Luis Ajala. Në përfundim të seancës zgjedhore, lideri socialist Edi Rama zhvilloi takime me të dy drejtuesit më të lartë të internacionales, të cilët i përgëzoi për detyrën e re.

KOMENTE