Institucionet e Republikës së Kosovës në takimin e zyrtarëve të lartë të mbajtur në Bruksel më 14 Qershor 2012, kanë marrë dhe Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, ku u zotuan që do ta hartojnë raportin e parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve që dalin nga ky udhërrëfyes.
Sot, me një shtator 2012, Qeveria e Kosovës nën koordinimin e Ministrisë për Integrimit Evropian dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme i dorëzuan Komisionit Evropian raportin e parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Ky raport ofron një pasqyrë të plotë të të gjitha përpjekjeve të ndërmarra deri më tani nga institucionet e Republikës së Kosovës në përmbushjen dhe respektimin e kritereve të përfshira në këtë udhërrëfyes, veçanërisht duke u përqendruar në progresin e arritur në këtë drejtim që nga viti 2008. Azhurnimi i dhënë në bazë të çdo kriteri fokusohet në zhvillimet legjislative dhe të politikave, ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Raporti është përgatitur gjatë muajve korrik dhe gusht 2012, me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe kontributin e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e udhërrëfyesit.
Në ndërkohë, deri më 15 shtator, Qeveria e Kosovës do të dërgojë edhe informata shtesë mbi nivelin e përafrimit të legjislacionit Kosovarë me atë të BE-së, respektivisht vlerësohet përafrim i detajizuar me Acquis Communitaire të të gjitha ligjeve të Kosovës, relevante për procesin e Liberalizimit të vizave.