Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër, ku në një atentat u qëlluan atë e bir nga ku mbeti i vrarë Frederik Marku dhe u lëndua rëndë djali i tij Jurgeni, sot në spital edhe djali 22 vjeçar Jurgeni nuk ka mundur t'i rrezistojë dot plagëve të marra.
Një ditë më parë policia prangosi Leonard Nikajn, një prej autorëve të aktit të rëndë.
Ndërkohë hotelit që u bë mollë sherri mes Frederik Markut dhe një banori të zonës në fshatin Theth të Dukagjinit, i është vënë flaka në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Burime nga vendngjarja pohojnë se flakët kanë shkrumbuar gjithë ndërtesën, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Hoteli ndodhej në një prej zonat më të frekuentuara prej turistëve në Theth.
Në momentin që janë qëlluar, viktima me të birin po lëviznin me automjetin e tyre në afërsi të spitalit rajonal. Shkak i kësaj ngjarjeje është bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin hotelit në zonën turistike, ka pasur një konflikt me një banor të zonës.
Konflikti ka qënë një grindje e çastit e djalit të viktimës me një shokun e tij. Frederik Marku kishte ndërhyrë dhe kishte qëlluar me qytë pistolete të riun që po i dhunonte të birin dhe pas kësaj palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natës.