Kryetari i Partisë Socialiste Rama në një komunikim me gazetarët ditën e djeshme, është përqendruar në disa çështje shumë shqetësuese për opinionin publik. Rama është ndalur në deklaratën për mediat në faktin se Shqipëria po digjet në flakë e ndërkohë kryeministri vazhdon krehjen e tij para kamerave. Sipas liderit të opozitës kriminaliteti i rritur në mënyrë alarmante, ku vetëm në 90 ditë kanë humbur jetën 158 shqiptarë është një dëshmi e faktit se shteti nuk ekziston.
Edi Rama theksoi se opozita pret që me nisjen e sesionit të ri parlamentar të nisë edhe shqyrtimi i ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga forca politike që drejton, duke sqaruar se çfarë përmirësimesh sjellin në sistemin e drejtësisë këto propozime.
Një tjetër pikë ku u ndal lideri Rama ishte dhe veprimi politik i Partisë Socialiste. 10 muajt e mbetur deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare Edi Rama ka treguar se opozita do të jetë çdo ditë pranë njerëzve në qytet e fshat për të dialoguar për të ardhmen me alternativat që shtron për shqyrtim programi “Për një Rilindje Shqiptare”.
Deklarata e plotë për shtypin
"Shqipëria vazhdon digjet përditë dhe e përditshme është edhe krehja e kryeministrit para kamerave. Kryeministri shfaqet rrugë më rrugë me sloganin Shqipëria po ndryshon dhe shan e shan opozitën, teksa flakët vazhdojnë përpijnë ç’u del përpara - në mungesë të shtetit që e ka braktisur detyrën. Po kjo e të krehurit teksa vendi digjet s’është vetëm mënyrë qeverisjeje e Saliut, po mënyra e të jetuarit të detyrës publike nën qeverinë e Saliut.
Po habitet Shqipëria me Guvernatorin e dytë në botë për madhësinë e rrogës që i ka vënë vetes. Edhe zoti Fullani krihet për shtatë palë qejfe teksa ekonomia kombëtare përpëlitet prej etheve përvëluese të krizës. Paguan me paratë publike një ekip volejbollistesh të Bankës së Shqipërisë që shpenzon më shumë se tre federata bashkë. Dhe nga ana tjetër paguan reklama televizive për t’u shitur njerëzve bono thesari, për arsye që lidhen pikërisht me vështirësinë e madhe të ekonomisë.
Po s’janë vetëm zjarret që po zhdukin qindra e qindra hektarë pyje apo ethet përcëlluese të ekonomisë që po lëngon. Shqipëria po digjet përditë edhe në fillin e shpresës nga krimi i dalë jashtë çdo kontrolli. Shifrat e kriminalitetit janë rritur ethshëm gjatë këtij viti, po sidomos në muajt e fundit. Në 90 ditët e fundit kanë humbur jetën 158 shqiptarë nga vrasjet, vjedhjet e aksidentet nëpër rrugët pa standarde që inauguron Saliu. 220 të tjerë janë plagosur e gjymtuar. Nuk janë kaq të vrarët e të plagosurit e 90 ditëve të fundit as në Irak as në Afganistan. Zgjerimi i përditshëm i influencës së krimit mbi shoqërinë shqiptare, është dëshmia më drithëruese e faktit se shteti e ka braktisur detyrën. Në çdo fushë të jetës publike që të hedhësh sytë nxjerr të njëjtin konkluzion: Nuk ka shtet! Shteti nuk funksionon!
Funksionon vetëm propaganda e qeverisë dhe krehja e përditshme e kryeministrit dhe pushtetarëve të tjerë para kamerave teksa në Shqipëri digjen përditë jetë njerëzish, digjen përditë mundësi e shpresa për njerëzit, digjen përditë këto kohë si zakonisht në këtë sezon edhe pyje e kodra të tëra. Tanimë po jetojmë degradimin e plotë të shtetit nën çqeverisjen e Saliut i cili vodhi zgjedhjet tre vjet më parë për të bërë pikërisht këtë që po bën duke e nxjerrë praktikisht Shqipërinë në ankand në 100 vjetorin e pavarësisë së vet.
Por tanimë është koha që opozita, me në krye Partinë Socialiste, të nisë rrugëtimin final drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme duke shumëfishuar fuqinë e komunikimit me të gjithë qytetarët për t’i dhënë fund rrënimit të mëtejshëm dhe për t’i hapur rrugë një Rilindjeje Shqiptare. Ne do të jemi këta dhjetë muaj që mbeten deri ditën e zgjedhjeve nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë, rivendosjen e demokracisë, dhe ribashkimin me Europën. Do të dialogojmë me shqiptarët për taksimin e ndershëm, për punësimin real, për nxjerrjen e fshatit nga prapambetja mesjetare, për shërbimin shëndetësor sipas nevojës e jo sipas mundësisë për të paguar, për arsimimin e mirë pa korrupsion e falsifikime, për shtetin që duam të ndërtojmë pas kaq vitesh degradim.
Por padyshim do t’u tregojmë shqiptarëve një më një edhe arsyet pse nuk duhet ta votojnë më këtë pushtet. Jo vetëm sepse ne jemi alternativa e duhur me programin, ekipin dhe lidershipin e duhur, dhe politikat tona të reja në çdo fushë janë çka i duhet sot Shqipërisë, po edhe sepse provat, faktet, të vërtetat për keqqeverisjen e për korrupsionin që ka kalbur çdo ministri dhe çdo agjenci shtetërore janë shumë. Do t’i ndajmë ato me publikun, një për një, ditë për ditë, 300 ditë rresht deri ditën kur shqiptarët do të thirren për të zgjedhur jo midis kësaj qeverie dhe perfeksionit po midis rrënimit të mëtejshëm në të tatëpjetën e kësaj keqqeverisjeje dhe një rruge të re drejt të ardhmes.
Nesër nisin edhe punimet e parlamentit. Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Vetëm kështu do t’i hapet rrugë votimit në parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator përpara gjykimit të tetorit në Bruksel për kandidaturën e Shqipërisë për statusin.
Po e përsëris edhe sot: Ne jemi pro kufizimit të imunitetit. Aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë për ndryshimin kushtetues mbi imunitetin. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej nesh. Ne i kemi paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë thelbësore të sistemit të drejtësisë. Të drejtësisë që sot është një ndër problemet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Kemi propozuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave të parlamentit. Pra, të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve, për më tepër nga një njeri i vetëm siç ndodh sot dhe të krijohen kushtet për një konsensus më të gjerë parlamentar në përzgjedhjen e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se kjo nuk është as shpikje e jona, as diktaturë e pakicës siç e quan në tym Saliu. Jemi frymëzuar për këtë propozim nga shumë kushtetuta të atyre vendeve të BE ku gjyqtarët i zgjedh parlamenti. Ndaj kush do drejtësi të pavarur, gjyqtarë të aftë moralisht që të gjykojnë edhe politikanët, duhet ta pranojë këtë ndryshim thelbësor që e departizon përzgjedhjen e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme të Shqipërisë.
Me të njëjtën logjikë kemi propozuar që edhe Prokurori i Përgjithshëm të votohet nga 3/5-at e deputetëve. Kemi propozuar po ashtu, që ministrat dhe deputetët të hetohen e gjykohen ashtu siç hetohen e gjykohen gjithë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi – pra çdo politikan e sidomos pushtetar të gjykohet në gjykatat e zakonshme dhe jo nga gjyqtarët që i kanë emëruar vetë për të marrë pastaj shërbimet e tyre, siç ka ndodhur në disa raste flagrante korrupsioni në Gjykatën e Lartë me ministra të kësaj qeverie. Ndaj kush do barazinë para ligjit për qytetarin dhe pushtetarin në këtë vend, duhet ta votojë këtë ndryshim thelbësor. Të shikojmë nëse do ta votojnë. Kemi propozuar amendamente me afate konkrete për miratimin e dekreteve të presidentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve - që dekretet të mos rrinë për muaj e vite në pritje, siç kanë ndenjur në sirtarët e zonjës Jozefinë, për t’u kthyer sipas rastit në pengje politike apo edhe letra me vlerë monetare.
Ndaj kush dëshiron që t’i japë fund kësaj praktike skandaloze duhet ta votojë edhe këtë ndryshim kushtetues të propozuar prej nesh.
Kemi propozuar që rregullorja e Kuvendit të miratohet me shumicë të cilësuar, me votat e shumicës dhe të opozitës. Ndaj kush do një parlament të standardeve europiane duhet ta votojë këtë ndryshim thelbësor. Të gjitha këto ndryshime të propozuara prej nesh, janë amendamente që i japin fuqi e garanci më të mëdha zgjedhësve të këtij vendi, qytetarëve që sot vuajnë dyfish, edhe nga një drejtësi e korruptuar edhe nga një pushtet politik që korrupton drejtësinë me fuqinë e vet të pabalancuar, falë korrupsionit përmes të cilit qëndron në këmbë dhe korruptohet e korrupton absolutisht.
Këto s’janë aspak kushte për të votuar ose jo kufizimin e imunitetit, po janë një vizion i yni për forcimin e sistemit të drejtësisë përmes një reforme thelbësore kushtetuese. Këto propozime tregojnë qartë se kush jemi ne në raport me drejtësinë dhe çfarë shteti duam të ndërtojmë. Nëse pala tjetër do t’i votojë, atëherë padyshim do të jetë një hap i madh përpara për vendin, për shoqërinë dhe sigurisht edhe për çdo individ të kësaj shoqërie. Por do të jetë dhe mbështetja më e madhe që politika shqiptare mund t’i japë kandidaturës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në tetor. Nëse pala tjetër nuk i voton, atëherë shqiptarët duhet të mbajnë shënim e të gjykojnë siç gjykon populli sovran me votë, edhe pse arsyet për ta larguar me votë këtë pushtet janë më shumë se sa të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për arsye të reja. Por ama kjo është një arsye më shumë për të kuptuar se nuk jemi ne që bllokojmë integrimin, nuk jemi ne që bllokojmë zhvillimin, nuk jemi ne që bllokojmë rrugët e mirëqenies për shoqërinë dhe qytetarët e këtij vendi, por është ky pushtet që u duhet t’u hapë rrugë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të shkuar sa më shpejt në Bashkimin Europian dhe për të ndjekur rrugët e tyre të mirëqenies sipas talentit dhe aftësive në një shoqëri të lirë me konkurrencë të lirë.
Së fundi, ajo loja pa top për të hutuar publikun me referendumin sikur medemek Saliut po i digjet shpirti që të luftojë korrupsionin duke u tallur histerikisht me shqiptarët në fakt, sepse thotë ne ndërtojmë opozita bën korrupsion gjë që nuk ekziston asgjëkundi, mund të vazhdojë. Por është e qartë; se në rast se ajo lojë vazhdon atëherë jo vetëm që jemi ne që duam debat për ndryshime kushtetuese thelbësore dhe që duam votim për të gjitha sëbashku, përfshirë edhe kufizimin e imunitetit në funksion të statusit të kandidatit, por edhe që pala tjetër me në krye këtë kryeministër është pala më e painteresuar në Shqipëri për integrimin Europian të vendit dhe për një afrim të mëtejshëm me Bashkimin Europian që do ta nxirrte atë ende më të ekspozuar në të gjitha mëkatet dhe deformimet e saj shumë të dukshme."