Po sot nxënësit dhe mësimdhënësit në Kosovë kanë marrë urimin edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga për fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013.
Në urim thuhet:
Sot po nis viti i ri shkollor. Pas pushimeve ju, të dashur nxënës, riktheheni në bankat shkollore për të filluar edhe një vit të ri, të etur për të nxënë dituri dhe përvoja të reja. Këtë vit mbi 36 mijë fëmijë nisin mësimin në klasë të parë, nisin rrugëtimin në botën e dijes dhe unë uroj, veçanërisht ata, e ju dëshiroj shumë sukses.
Shkolla shqipe ka njohur vite të rënda të punës së saj në të kaluarën. Ishin mësimdhënësit ata që i dhanë më së shumti asaj - e mbajtën gjallë në kohë të rëndë, e rimëkëmbën dhe e zhvilluan në kohë lirie. Ndaj, ata meritojnë falënderimet dhe urimet më të mira për punën e palodhshme me brezat e rinj, të ardhmen e vendit tonë.
Në nismë të vitit të ri shkollor, edhe një herë, urime, përkushtim të plotë dhe sukses në rrugën e shkollimit tuaj.