Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Slloveni, kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga Presidenti slloven zotin Danilo Turk.
Presidenti Danilo Turk pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe dinamizmit që pritet në bashkëpunimin ekonomik për te cilin shprehu interesin për ta zgjeruar e thelluar edhe më tej.
Presidenti slloven Danilo Turk shprehu gjithashtu kënaqësinë që Shqipëria kryeson Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës.
Nga ana e tij kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht presidentin slloven Danilo Turk për pritjen dhe i shprehu atij mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve të transformimeve rrënjësore.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin shumë pozitiv të Sllovenisë në Ballkan në veçanti në mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës. Kryeministri Berisha i uroi presidentit slloven Danilo Turk 20 vjetorin e pavarësisë së vendit duke vlerësuar shembullin e shkëlqyer të Sllovenisë në konsolidimin e demokracisë e tregut të lirë pas shkëputjes nga ish federata jugosllave dhe pavarësimit të saj.
Në takim u diskutua mbi prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe kontributin që vendi ynë mund të ofrojë në këtë drejtim në shumë aspekte, një ndër të cilat është bashkëpunimi rajonal apo afrimi i pranverës arabe me Këshillin e Europës dhe ndihma që mund tu jepet këtyre vendeve nga përvoja e këtij të fundit.
Në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe përpjekjet e vazhdueshme për ecjen përpara me shpejtësi me reformat për anëtarësimin në BE. Kryeministri Berisha e njohu presidentin me reformat e rëndësishme në veçanti në fushën e ekonomisë, atë fiskale, modernizimit të vendit, dixhitalizimin dhe thjeshtësimin e procedurave, krijimin e klimës më të favorshme për biznesin, reduktimin e administratës publike, investimet e rëndësishme në infrastrukturë etj, reforma këto që kanë bërë të mundur që Shqipëria në dallim nga trendi Europian të mos bjerë në recesion.
Presidenti i vlerësoi këto arritje si shumë inkurajuese përfshirë edhe realizimin me sukses të reformës zgjedhore dhe shprehu gjithashtu vlerësimin për prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Këshillit të Ministrave të KiE në veçanti ato që lidhen me rajonin apo pranverën arabe duke e cilësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm që Shqipëria, si një vend multi-religjioz, mund të japë në këtë drejtim. Në këtë kontekst presidenti Danilo Turk vlerësoi traditën e shkëlqyer të tolerancës ndër - fetare dhe ndër - etnike të shqiptarëve.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.