Ashtu siç ishte njoftuar inspektoriati ishëndetsisë ka nisur kontrollin nëpër lokale , restorante pra në të gjitha ato ambjente ku ligji antiduhan është i zbatueshëm.
Dhjetëra inspektorë në të gjithë Shqipërinë po kontrollojë lokalet dhe punën e njëri-tjetrit për të ndaluar duhanin sipas ligjit që ka mbi dy vjet që nuk zbatohet. Vetëm në kryeqytet janë gjobitur deri tani 7 lokale dhe midis tyre edhe një zëvendës-ministër, që u gjet me duhan rastësisht në një klub.
Drejtuesi i inspektoriatit antiduhan, Roland Shuperka, thotë se kjo nuk është një fushatë disaditore dhe se tani inspektoriatet janë struktura të përhershme. Zoti Shuperka thotë se qëllimi nuk është që të vihen gjoba, dhe puna e inspektorëve nuk do të maten me sa gjoba do të vënë, por se sa lokale kanë ndaluar duhanin në zonat e tyre.
“Tani janë ngritur struktura të qëndrueshme në të gjithë vendin. Për herë të parë do të kontrollojnë lokalet dhe njëri-tjetrin, se sa e kanë zbatuar ligjin. Kush nuk e zbaton ligjin nga njerëzit e shëndetësisë do të largohet menjëherë nga puna. Kjo është përpjekja përfundimtare për të zbatuar ligjin antiduhan, me transparencë, me tolerancë zero dhe pa korrupsion” - tha zoti Shuperka.
Përfaqësuesit e shëndetësië pohojnë se të gjithë do të jenë të barabartë përballë ligjit antiduhan, dhe asnjë nuk do të falet. Inspektorët janë angazhuar për një operacione 20 orëshe me transparencë dhe pa korrupsion, sepse gjobat paguhen brenda 10 ditësh në banka dhe jo me para në dorë në drejtoritë e higjenës. Ndërsa pas dhjetë ditësh nisin taksat e vonesave në mënyrë automatike dhe instituti i shëndetit publik do të pasqyrojë gjithçka në internet.