Në kuadrin e takimeve që po zhvillon në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Qendra për Politika Evropiane. Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, përfaqësues të institucioneve dhe vendeve të Bashkimit Evropian, analistë, përfaqësues të mediave, etj.
Në fjalën e tij, Ministri Panariti theksoi se integrimi evropian përbën një objektiv të unifikuar për të gjithë politikën shqiptare. Qeveria shqiptare është e angazhuar të inkurajojë fuqimisht dialogun konstruktiv midis palëve për arritjen e kompromiseve të nevojshme për plotësimin e 12 kritereve të vendosura nga BE-ja për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria. Ai u ndal në hapat konkretë të ndërmarrë muajt e fundit nga politika shqiptare për plotësimin e kritereve të lartpërmendura, si: reforma zgjedhore, kufizimi i imunitetit, reforma administrative dhe gjyqësore, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit etj.
Ministri Panariti theksoi se ky progres i arritur do të thellohet nga vazhdimi i mëtejshëm i përpjekjeve të përbashkëta, si të maxhorancës ashtu edhe të opozitës, për plotësimin e kritereve para paraqitjes së raportit të progresit të Komisionit Evropian. Gjithashtu, në fjalën e tij, ai u ndal në politikën rajonale të Shqipërisë, e cila i ka shërbyer fuqimisht stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai shprehu besimin se Komisioni Evropian në raportin e tij do të njoh progresin e bërë nga Shqipëria dhe do të kurorëzojë një aspiratë të popullit shqiptar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Gjatë konferencës pjesëmarrësit bënë një analizë të ecurisë së reformave të ndërmarra në Shqipëri në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shprehën nevojën e vazhdimit të tyre përpara publikimit të raportit të Komisionit Evropian. Ata vlerësuan progresin e bërë në vend nga nëntori i vitit të kaluar dhe theksuan vazhdimin e punës në këtë drejtim. Në këtë kontekst u vu në pah roli që Shqipëria luan në rajon, si një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin.
Më tej, Ministri Panariti dhe pjesëmarrësit në panelin drejtues të konferencës iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve.