English

Presidenti Nishani takim me ambasadorin austriak në Tiranë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, z. Florian Raunig.

Presidenti Nishani pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë kërkoi që kjo mbështetje të vijojë edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Shtetit nënvizoi se Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE bazuar në meritë, në shpirtin e tyre evropian dhe në traditën historike.

Presidenti vuri në dukje gjithashtu se shqiptarët dhe Shqipëria me anëtarësimin e tyre në NATO dhe me marrëveshjen për lëvizjen e lirë kanë provuar se dinë të përmbushin detyrimet dhe të respektojnë marrëveshjet duke nënvizuar se marrja e statusit do të ishte një stimul për shqiptarët dhe institucionet e tyre për arritjet në kryerjen e reformave dhe inkurajimin e politikës dhe institucioneve në realizimin e standardeve.

Ambasadori i Austrisë Florian Raunig e garantoi Presidentin e Republikës se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë dhe se Austria bën pjesë në grupin e vendeve që lobojnë për hapjen e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit.

Ambasadori Raunig e informoi Presidentin Nishani për procedurat e rikthimit të përkohshëm të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shqipëri me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Presidenti Nishani përcolli nëpërmjet diplomatit austriak falenderimet për mesazhin e urimit që Presidenti i Austrisë i ka nisur me rastin e zgjedhjes së Tij si President i Republikës dhe mirënjohjen për autoritetet e Austrisë për kthimin e përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut përkohësisht në Shqipëri, dhe e vlerësoi atë një gjest të radhës të miqësisë historike që Austria ka treguar ndaj Shqipërisë.

KOMENTE