Ministrja Bregu priti sot Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nicolaos Chountis. Ministrja Bregu, e sapokthyer nga nje vizitë dy ditore në Bruksel, e informoi Raporterin për diskutimet me përfaqësuesit e Komisionit Europian. Duke iu referuar vlerësimit të Komisionit Europian për shkallën e përmbushjes së detyrimeve për anëtarësim, ministrja tha se Shqipëria nuk kërkon asgjë të pamerituar, sepse vlerësimi në bazë meritash është në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Ajo tha se shqiptarët kanë nevojë për një qëndrim realist nga të gjithë, një vlerësim të drejtë larg standarteve të dyfishta.
Sipas ministres, Shqipëria ka përmbushur detyrimet kryesore të caktuara nga Komisioni për marrjen e statusit dhe për më tepër klima politike në vend sot, është si në cdo vend tjetër, ku opozita me maxhorancën nuk kanë dakordësi për cdo cështje, por kjo nuk do të thotë që klima politike mund të konsiderohet problematike për partnerët europianë. Shqipëria, theksoi ajo, nuk ka probleme bilaterale, etnike, fetare apo makroekonomike, por është një faktor stabiliteti dhe për më tepër me një popullsi me frymëpro europiane.
Nga ana e tij, raporteri Chountis theksoi mbështetjen e tij personale brenda Parlamentit Europian për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Ai shpjegoi se demokracitë kanë brenda tyre përplasje politike të cilat duhen parë me një sy realist dhe se nuk mund të gjykohet vendi nga mosmarrëveshjet politike që ndodhin kudo. Ai vlerësoi reformat e arritura dhe garantoi se do të përcjellë në Parlament dhe kudo mbështetjen, e tij për marrjen e statusit nga Shqipëria.