English

Forumi rajonal për Evropën mbi Broadband-in zhvillohet në 6-7 shtator 2012

Tirana mirëpret forumin rajonal për Evropën mbi Broadband-in

Broadband për të gjithë do të jetë tema e forumit rajonal që do të mbahet në Tiranë, Hotel Sheraton, në datat 6-7 shtator 2012.
Ministri për Inovacionin dhe TIK në bashkëpunim Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), organizojnë forumin rajonal për Evropën në Broadband me fokus: Broadband-i një shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe social.

Ky forum rajonal është një mundësi për një dialog të nivelit të lartë mes palëve të interesuara rreth strategjive dhe politikave për zhvillimin e Broadband-it në rajon, si dhe një rast për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e ofruara nëpërmjet rrjeteve të me shpejtësi të lartë dhe ofrimit të shërbimeve elektronike me anë të infrastrukturës moderne, duke përfshirë, të mësuarit elektronik (e-learning), e-Qeverisjen, e-Shëndetësinë etj.

Forumin do ta përshëndesë Kryeministri i vendit z. Sali Berisha, Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, z. Hamadoun Touré, Sekretar i Përgjithshëm i ITU-së dhe z. Brahima Sanou, Drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU-së. Pjesëmarrës të tjerë pritet të jenë ministra të vendeve të rajonit, si dhe drejtues të autoriteteve rregullatore, apo menaxherë të telekomunikacionit dhe TIK të vendeve të rajonit dhe të Evropës.

Me qëllim diskutimin mbi zhvillimet më të fundit lidhur me Broadband-in në rajon, forumi do të shqyrtojë ndër të tjera mënyrat për të maksimizuar përfitimet ekonomike dhe sociale nga kjo infrastrukturë. Duke sjellë së bashku partnerë nga sektori publik dhe privat, forumi pritet të gjenerojë ide të reja për të nxitur kërkesën për Broadband dhe për e-Shërbime.

Është e ditur tashmë se qasja me Broadband ofron një platformë konstruktive për trajtimin e një sërë sfidash publike përfshi kujdesin shëndetësor, arsimin, sigurinë, punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

Qasja në rrjetet me internet me shpejtësi të lartë (pra Broadband) është zhvilluar shumë në dekadën e fundit dhe po shihet gjithnjë e më tepër si infrastrukturë thelbësore për rritjen e ekonomisë globale dhe të informacionit.

Kërkesa për më shumë bandë të gjerë të rrjeteve te komunikimit elektronik është një nga temat qendrore që diskutohet sot në botë, dhe një nga objektivat e Forumit është eksplorimi i mënyrave për të stimuluar kërkesën për broadband, me qëllim rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Forumi gjithashtu do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi sfidat e mundshme të adresuara në nivel rajonal, të cilat mund të përpunohen më tej në kuadrin e përgatitjeve për Konferencën Botërore të Zhvillimit të Telekomunikacionit (WTDC-14).

Programi i forumit përbëhet nga tre çështje kryesore:

· Strategjitë dhe politikat Broadband, Përshpejtimi i Zhvillimit Ekonomik dhe Social

· Rregullimi efektiv (legjislacioni): Një Çelës për Zhvillimin e Broadband-it

· “Ndërtoje dhe përdoruesit do të vijnë” : Pse rritja e kërkeses për Broadband ka rëndësi.

KOMENTE