Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë dyditore në Bruksel, ku takoi përfaqësues të Komisionit Europian, COËEB dhe të European Policy Center (EPC). Ministrja informoi rreth zhvillimeve dhe arritjeve më të fundit të Shqipërisë lidhur me plotësimin e 12 prioriteteve, informacione ku do të bazohet edhe vlerësimi I Komisionit në raportin e progresit të tetorit.
Në të gjitha takimet, ministrja theksoi se Shqipëria ka bërë shumë sa i përket përmbushjes së prioriteteve dhe duhet të vlerësohet për këtë, ndërsa vuri theksin në domosdoshmërinë dhe rëndësinë që ka heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë si hap kyç në arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin Stefano Sanino theksoi se Shqiperia ka bërë progres të dukshëm në përmbushjen e prioriteteve dhe se për këtë, duhet të gëzohen të gjitha forcat politike, shoqeria civile, gjithë shqiptarët.
Ministrja Majlinda Bregu flet për mediat pas takimit në “European Policy Center” (EPC)
1. Keni patur një takim me përfaqësuesit e shteteve anëtare. Jeni e bindur që ata janë të sensibilizuar se Shqipëria i ka përmhbushur ndoshta të gjitha kriteret?
E kemi diskutuar në takim me vendet anëtare: çështja është se cilat nga kjo masë kritike e prioriteteve duhet të plotësonim, pra nëse ka kohë deri në fund të shtatorit apo deri në mes të shtatorit kur Komisioni do të mblidhet për të dhënë vendimin pastaj në tetor, apo është shumë vonë. E rëndësishme është që ka mundësi për të bërë një ndryshim. Ne i kemi qëndruar një propozimi, i cili për mua është propozimi madhor i referendumit në pamundësi të një konsensusi. Këtë kam thënë në takim edhe sot, në pamundësi të një konsensusi mes atij kampioni që përfaqëson popullatën dhe që janë politikanët, nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë vendim më të mirë se ai i popullatës në tërësi.
2. Pikërisht për heqjen e imunitetit , dëgjuam Komisionin që beson në plotësimin e prioriteteve, madje dhe Stefano Sanino tha “po, heqja e imunitetit është një hap domethënës”, që të linte të kuptoje se është kjo që mungon faktikisht…
Dua të them që ky është titulli i pjesës së mbetur të detyrimeve deri në fundshtator. Kjo nuk do të thotë se masat që ne i prezantuam sot para Komisionit dhe që janë vlerësuar në luftën kundër korrupsionit, nuk merren parasysh. Por gjithësesi, është e rëndësishme shprehja e një vullneti madhor nga politikanët në një çështje për të cilën janë të gjithë dakord, për të cilën nuk ka arsye për të kundërshtuar. E rëndësishme për ne sot është të kemi një vendim pozitiv në tetor. Jo një vendim pozitiv i cili është i rëndësishëm për qeverinë, as për mazhorancën sot, por një vendim pozitiv për Shqipërinë. Nëse ende Shqipëria është interesi madhor i të gjithëve, edhe i atyre politikanëve që sot janë në opozitë, ka mundësi të mos kërkojnë shtesë apo detyrime të cilat nuk kanë qenë pjesë e paketës sënëntorit, por të votojnë ate që kanë premtuar, heqjen e imunitetit.