Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, kanë përuruar objektin e ri të shkollës fillore në Lagjen e Dytë të Gjilanit.
Ky dhe objektet tjera që po inaugurohen në fillim të këtij viti të ri shkollor janë vazhdimësi e përpjekjeve të MAShT për të siguruar kushte të mira mësimi.
Ministri i Arsimit, Ramë Buja me këtë rast u shpreh se me gëzim të veçantë po inaugurojmë një tempull dije në një lëndinë, e cila do të jetë më pjellore se çdo gjë tjetër, sepse nga kjo shkollë do të dalin inxhinierë, pedagogë, matematikanë, politikanë e kuadro të tjera të së ardhmes.
"Qeveria e Republikës së Kosovës, ka menduar mirë dhe arsyeshëm dhe racionalisht se çfarë t`i dhurojë Gjilanit për këtë shtator . Nuk ka gjë më të mirë se të dhurohet një shkollë e re dhe këtë e bëmë. Ka menduar edhe në përmasa kombëtare se çfarë t`i dhurojë kombit për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit të parë shqiptarë dhe do t'i dhurojmë 10 shkolla në këtë vit, 5 në shtator dhe 5 të tjera deri në fund të këtij viti, dhe jemi shumë të gëzuar për këtë gjë", tha ministri Buja.
Ministri Buja shprehu bindjen e plotë se "insistimi ynë është që të rrisim cilësinë arsimore kudo në Kosovë është edhe me këto objekte të reja që po i bëjmë, sepse është shumë e qartë se arsimtari, pedagogu , kur ka ambientin e mirë siç është kjo shkollë, ka motiv më të shtuar për ligjërim , njëkohësisht edhe nxënësi është më i motivuar për mësim".
Për ndërtimin e kësaj shkolle , MAShT ka investuar 1,032,905,56 €. ( plus faza e dytë ka vlerë : 258, 490.05 € ) , pra gjithsejtë 1.291.395.61 €.
Objekti ka 22 klasa mësimi, 3 laboratorë, klasa për parafillor, kthina administrative, kthina e bibliotekës me leximore dhe kthina e personelit.
MAShT gjithashtu ka bërë edhe inventarizimin e shkollës.