Dita ditës të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, në nivel qendror dhe lokal vijojnë betejën për shuarjen e zjarreve. I gjithë Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit, e kryesisht Ministria e Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mbrojtjes, Shtabet e Emergjencave në çdo qark, nën drejtimin e prefektëve, në bashkëpunim edhe me drejtuesit vendorë janë në gatishmëri maksimale dhe veprime konkrete, 24 orë në 24, për përballimin me sukses të situatës.
Prej më shumë se dy muajsh, 850 punonjës të shërbimit zjarrfikës, 800 punonjës të Shërbimit Pyjor, mbi 1500 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 80 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Brendshme, 15 mjete zjarrfikëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mjete të tjera të rënda, kanë punuar ditën dhe natën për të mbajtur nën kontroll të plotë situatën problematike të shkaktuar nga zjarrvëniet. Mjetet zjarrfikëse të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë dislokuar në zonat më të thella malore, në terrene nga më të vështirat, me rrugë dhe pa rrugë. Zjarrfikësit, me përkushtim dhe devotshmëri profesionale kanë shtrirë me mijëra metra tuba për të qenë sa më pranë edhe vatrës më të vogël të zjarrit.
Si rezultat i marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara nga Ministria e Brendshme, në këtë betejë me zjarrin kemi patur gjithmonë mbështetjen e vendeve fqinje dhe jo vetëm, me avionë dhe helikopterë specialë, në ruajtje dhe mbrojtje të pasurisë kombëtare dhe asaj të çdo qytetari. Gjatë gjithë kësaj periudhe 2 avionë kanderë nga Mali i Zi, 2 avionë nga Italia, një avion dhe një helikopter nga Turqia dhe një helikopter nga Sllovenia, kanë ndihmuar dhe vijojnë edhe në këtë moment operacionet nga ajri për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, paralelisht me forcat që operojnë në terren.
Ky angazhim maksimal, ky përkushtim dhe sakrificë e mijëra efektivave të të gjitha shërbimeve të shtetit shqiptar, kanë bërë të mundur që të shpëtojë pasuria kombëtare, me dëmet më të vogla të mundshme, të shpëtohen pasuritë e çdo qytetari dhe, mbi të gjitha, nuk ka lejuar që për asnjë çast të vihet në rrezik jeta e çdo banori në në afërsi të vatrave të zjarrit.
Prej më shumë se dy muajsh media elektronike dhe ajo e shkruar kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë punën dhe përpjekjet e të gjitha strukturave për të mposhtur zjarret. Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë njohur dhe vijojnë të njihen me operacionet që vijojnë çdo ditë në terren.
Por, për fat të keq, me sa duket i vetmi që nuk ka asnjë kontakt me këtë realitet është lideri i opozitës. I kredhur totalisht në botën e tij virtuale, ai është i vetmi që nuk arrin të shikojë betejën që efektivat zjarrfikës, ata të shërbimit pyjor, të Forcave të Armatosura por edhe banorët japin çdo minutë dhe çdo orë me zjarret. Është i vetmi që nuk arrin të dallojë se nxirja në fytyrën e tyre nuk është nga dielli i pushimeve, por nga bloza e tymi i zjarreve që rrezikojnë pasuritë e vendit tonë dhe qytetarëve.
Ministria e Brendshme i bën sërish apel kreut të opozitës, që të heqë dorë nga përfitimi i kapitalit politik me vatrat e zjarrit, por të shprehë sadopak mirënjohje për të gjithë ata punonjës shteti ose jo, që prej javësh luftojnë për të shpëtuar pyjet, kullotat dhe pronën e çdo shqiptari.
Kanë vijuar gjatë gjithë ditës së sotme operacionet nga ajri të helikopterit të tipit Cugar, vënë në dispozicion nga Republika Sllovene me kapacitet 4 ton, avionet e tipit Canader të dërguar nga Republika Italiane dhe ai turk me kapacitete 8 ton, duke mundësuar kështu fikjen e disa vatrave zjarresh dhe izomin e vatrave të tjera.
Gjatë mbasditës së sotme dy avionë punuan për fikjen e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës dhe helikopteri punoi për gjatë gjithë ditës për fikjen e zjarreve në zonën e Bulqizës. Operacionet nga ajri do të vijojnë në gjatë gjithë ditës së nesërme në zonën verilindore.
Nga informacionet e raportuara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata paraqitet si më poshtë vijon:Në të gjithë qarqet e vendit, rezultojnë 13 vatra aktive zjarresh.
Qarku Dibër: Ka 4 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Kacni, komuna Selishtë vazhdon të jenë aktivë, edhe pas ndërhyrjeve të vijueshme nga ajri.Zjarri në ekonominë pyjore në Zallë-Gjoçaj, Derjan, rrethi Mat, zjarri në "Luçan - Batër", Martanesh dhe zjarri tek Liqeni i Zi, Bulqizë, janë vënë nën kontroll. Ndërsa dy vatrat në afërsi të Parkut Kombëatar të Lurës janë izoluar.
Qarku Korçë. Ka 1 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në fshatin Kamenicë, komuna Mollas, është riaktivizuar gjatë pasdite së sotme.
Qarku Kukës: Ka 3 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në vendin e quajtur Rrethi i Bardhë, mbi fshatin Kukaj, komuna Margegaj, është shumë aktiv. Po kështu, edhe vatrat e zjarrit në fshatin Dragobi, komuna Margegaj dhe vatra e zjarrit në vendin e quajtur Moraje, komuna Bujan mbeten problematike.
Qarku Shkodër: Ka 5 vatra zjarri aktive. Në rrethin Shkodër: Ka 1 vatër zjarri në fshatin Balza, komuna Shosh.
Në Rrethin Pukë, vazhdojnë të jenë 4 vatra zjarri aktive. Vatra e zjarrit në fshatin Arst Miliska, komuna Fierzë, e shfaqur rreth mesditës, është shumë problematike. Po kështu edhe vatra në fshatin Iballë, komuna Iballë është aktive, së bashku vatrën në fshatin Dardhë, komuna Blerim. Ndërsa vatra në fshatin Orosh, komuna Qafë Mali, është mbyllur thuajse plotësisht.Gjatë ditës së sotme dy avionë kanë operuar për shuarjen e këtyre vatrave të zjarrit.Vatra e zjarrit në zonën Mzi, pas ndërhyrjes nga ajri është izoluar dhe po mbahet nën kontroll.
Qarku Berat. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Tiranë. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Elbasan: Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Durrës. Nukka vatra zjarri.
Qarku Fier. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Gjirokastër: Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Lezhë: Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Vlorë. Nuk ka vatra zjarri aktive.