Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z.Myqerem Tafaj, ka zhvilluar një vizitë në shkollën e mesme profesionale “Sali Ceka”, në Elbasan. Ministri Tafaj u takua me një grup mësuesish që po trajnohen për pajisjet më të reja teknologjike në drejtimin mekanik dhe teknologjik, që kanë ardhur nga projekti zviceran për të gjitha shkollat profesionale në Shqipëri.
“Kriza e fundit financiare vërtetoi se vendet që kanë një arsim profesional të zhvilluar kanë një papunësi deri në tetë herë më të ulët se vendet e tjera të BE-së të cilët kanë një sistem të arsim profesional jo aq të zhvilluar”, u shpreh ministri Tafaj.
Ministri theksoi se dhe në vendin tonë statistikat kanë vërtetuar se mbi 80 përqind e nxënësve që përfundojë arsimin profesional punësohen menjëherë dhe se janë nxënësit që kanë përfunduar këtë arsim dhe kanë emigruar për një arsye apo një tjetër, atë që janë punësuar në profesionet që kanë mësuar në Shqipëri në vendet e BE-së si Itali, Greqi, etj.
Shqipëria ka nevojë të madhe për teknicienë dhe profesionistë që kanë përfunduar shkollat profesionale, por një nevojë të tillë ka si tregu rajonal dhe ai ndërkombëtar i punës, nënvizoi Tafaj, prandaj ne i kushtojmë rëndësi të madhe rritjes së pjesëmarrjes në arsimin profesional.
Aktualisht në tre shkollat profesionale të qytetit të Elbasanit, ka një rritje të numrit të regjistrimit të nxënësve. Ministri Tafaj bëri thirrje edhe njëheë prindërve dhe nxënëve të regjistrohen në shkollat e arsimit profesional, pasi në këtë mënyrë prindërit do të jenë të sigurt se fëmijët e tyre do përfundojnë shkollën e mesme me një profesion të mësuar që ju njihet edhe jashtë vendit , me të drejtën për të vijuar shkollën e lartë dhe natyrisht me aftësinë për të krijuar bizneset e tyre.
Në Elbasan ka përfunduar edhe një shkollë e re profesionale në të cilën këtë vit mund të regjistrohen 700 nxënës më shumë.