Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion të Komisionit parlamentar të Transportit, të Norvegjisë, të kryesuar nga z. Baard Hoksrud.
Kryeministri Berisha u uroi parlamentarëve norvegjezë mirëseardhjen dhe vlerësoi se kjo vizitë bëhet në një moment kur marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve po forcohen me shpejtësi dhe në mënyrë të dukshme.
Zoti Hoksrud e falënderoi Kryeministrin Berisha, në emër të grupit të deputetëve norvegjez për mikpritjen që ata po provojnë në Shqipëri në të gjitha mjediset që po vizitojnë.
Gjatë kësaj vizite, tha zoti Hoksrud, na u dha mundësia të shkojmë edhe në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe patëm fatin gjatë kësaj kohe, të shikojmë projektet shumë të mëdha dhe shumë të rëndësishme që qeveria juaj ka realizuar në infrastrukturë. Është vërtetë emocionues fakti që ju, në një kohë kaq të shkurtër, keni mundur të ndërtoni mijëra kilometra rrugë të standardeve të larta, theksoi deputeti norvegjez Hoksrud. Ai vuri në dukje se ritmet e larta të ndërtimeve dhe koha shumë e shkurtër, janë të pakrahasueshme, edhe me ato të një vendi të zhvilluar, siç është edhe vet Norvegjia, e cila që nga viti 1962, ka ndërtuar si rrugë të reja vetëm 360 kilometra, ndërkohë që ishin planifikuar 756 km. “Ju shprehim përgëzimet tona për këtë zhvillim mahnitës në infrastrukturë”, u shpreh z. Hoksrud.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se Norvegjia ka qenë gjithmonë një vend frymëzues dhe shembull për arritjet e saj. Ai i njohu deputetët norvegjezë me zhvillimet në vend, duke theksuar këtu se në fushën e infrastrukturës, në këto 6 vite të fundit janë ndërtuar 2430 km rrugë të reja. Filozofia e qeverisjes sonë, tha Kryeministri Berisha, është infrastrukturë moderne, si bazë e sigurt e zhvillimit të shpejtë të vendit, bazuar në shkurtim distance dhe përfitim në kohë. Për këtë, janë ndërtuar rrugë dhe tunele, të cilat sjellin shqiptarët në Tiranë disa herë më shpejt se 6 vjet më parë.
Kryeministri theksoi se, për të realizuar këtë zhvillim të shpejtë në infrastrukturë, qeveria shqiptare investoi deri në 10 për qind të GDP-së. Krahas sistemit rrugor, investime të shumta janë bërë dhe në sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.
Sipas Kryeministrit Berisha, dy janë infrastrukturat më të rëndësishme ku po bazon zhvillimin e shpejtë ekonomia shqiptare, infrastruktura fizike si; rrugët, tunelet, ujësjellësit etj, dhe infrastruktura dixhitale. Në këtë drejtim, arritjet janë të shumta dhe penetrimi i internetit në Shqipëri arriti ta rreshtojë atë në vendin e dytë në botë.
Më tej, Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët norvegjezë edhe me reformat e rëndësishme ekonomike, në të cilat është mbështetur zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shpejtë dhe rritja ekonomike e Shqipërisë. Përthithja e investimeve të huaja ka bërë që në Shqipëri, në 6 vjet, të katërfishohet numri i tyre dhe të shtohet prezenca e kompanive të mëdha, përfshirë këtu edhe kompanitë norvegjeze si; Shtatkraft, Statoil, etj. Projekte të tjera të mëdha janë në rrugën e tyre të suksesit, të kryesuar nga bizneset norvegjeze, si projekti i HEC-it të Devollit, projekti i madh TAP i gazit, etj.
Duke prezantuar lehtësitë e të bërit biznes në Shqipëri, Kryeministri nxiti parlamentarët norvegjezë të nxisin bizneset norvegjeze që të shtojnë prezencën e tyre me projekte në Shqipëri.
Zoti Hoksrud u shpreh se janë vërtetë impresionuese arritjet e Shqipërisë dhe ekonomisë së saj në këtë periudhë. Norvegjia, shtoi ai, e ka bazuar zhvillimin e sektorit energjetik në energjinë ujore dhe, sa më shumë energji të prodhosh nga uji, aq më shumë kontribuon në zhvillimet klimatike dhe në ambientin, si dhe rrit eficencën dhe produktivitetin e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Sistemi juaj fiskal, bazuar në taksat e ulëta dhe taksën e sheshtë, është për ne një model për t’u konsideruar edhe në Norvegji.
Ai gjithashtu, vuri në pah mundësitë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Norvegjisë në fushën e turizmit.