English

Krasniqi-Laila Omar Gad. Bisedime për të drejtat e fëmijëve në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot shefen e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Laila Omar Gad, me të cilën ka biseduar për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Shefja zyrës së UNICEF-it e ka vlerësuar punën e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjeve, duke e vlerësuar përfshirjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kushtetutë dhe në dokumentet e tjera të miratuara në Kuvend.
Ajo është shprehur e bindur se në bashkëpunim me Kuvendin dhe me partnerët e tjerë në Kosovë, do të arrihen rezultate edhe më të mira në planin e të drejtave të fëmijëve, të përfshirjes sociale të tyre dhe për arsimim më cilësor.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke i uruar zonjës Laila Omar Gad sukses në detyrën e saj të re në Prishtinë, e ka garantuar atë për përkushtimin e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të vendit për sigurimin e kushteve sa më të mira për fëmijët tanë. " Nuk e kemi pasur vështirë ta miratojmë kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për shkak të gjendjes jo shumë të mirë ekonomike, e kemi vështirë t'i realizojmë plotësisht të drejtat e fëmijëve që parashohin dokumentet tona", ka theksuar Krasniqi.
Ai ka folur edhe për miratimin nga Kuvendi të Deklaratës së Mijëvjeçarit, të Letrës së Bardhë për përfshirjen sociale, etj., që flasin edhe për të drejtat e fëmijëve.
Krasniqi është shprehur i bindur që me mbështetjen e UNICEF-it dhe në bashkëpunim me faktorë të tjerë të interesuar brenda vendit, mund të krijohen kushte shumë më të mira jete e zhvillimi për fëmijët e Kosovës.

KOMENTE